
Mediat shtetërore iraniane kanë publikuar një video arkivore të Mojtaba Khameneit, duke pretenduar se pamjet janë regjistruar përpara se ai të merrte postin e Udhëheqësit Suprem të Iranit.
Në video, Khamenei shihet gjatë një takimi, teksa bisedon me personat e pranishëm. Pamjet u publikuan të hënën, më 24 gusht, duke tërhequr vëmendjen për faktin se ai nuk është shfaqur në publik që prej marrjes së detyrës në muajin mars.
Mojtaba Khamenei mori postin pas vdekjes së babait të tij, ish-Udhëheqësit Suprem të Iranit, i cili sipas raportimeve u vra më 28 shkurt, gjatë sulmeve ajrore amerikane dhe izraelite ndaj Iranit.
Mungesa e tij në publik ka nxitur spekulime edhe për gjendjen e tij shëndetësore. Sipas burimeve të larta iraniane, Mojtaba Khamenei ishte plagosur gjatë sulmeve, duke pësuar edhe dëmtime të rënda në fytyrë.
Që prej atëherë, mediat shtetërore iraniane kanë publikuar disa deklarata me shkrim në emër të tij, përfshirë një mesazh ku premtonte hakmarrje për vdekjen e babait, si dhe njoftime për emërime të zyrtarëve të lartë në Gardën Revolucionare dhe Forcat e Armatosura.
Megjithatë, autoritetet iraniane nuk kanë dhënë detaje zyrtare për gjendjen e tij shëndetësore, ndërsa nuk kanë shpjeguar as arsyen e mungesës së tij në daljet publike.
Publikimi i kësaj videoje arkivore vjen në një periudhë kur vëmendja ndërkombëtare ndaj gjendjes së udhëheqjes iraniane është shtuar, veçanërisht për shkak të mungesës së gjatë të Mojtaba Khameneit nga jeta publike./Versus.al

