BOTA /

Moti i keq në Itali, tornado godet Kremonën. 40 të plagosur dhe dëme të shumta në banesa

Sipas raportimeve paraprake, rreth 40 persona kanë mbetur të plagosur duke pësuar dëmtime të lehta pasi janë goditur nga breshëri, tjegulla, copa çatie dhe materiale të shkëputura nga ndërtesat

Shkruar nga Versus

Moti i keq në Itali, tornado godet Kremonën. 40 të plagosur dhe

Një mot ekstrem ka goditur pasditen e sotme qytetin e Kremonës në Itali, ku një tornado e shoqëruar me breshër dhe erëra të forta ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa zona.

Ndërtesat historike të qytetit nuk i kanë shpëtuar fuqisë së stuhisë. Katedralja e Kremonës ka pësuar dëmtime të rënda në çatinë e njërës prej majave, ndërsa është shembur edhe çatia e kullës qytetare të Bashkisë.

Sipas raportimeve paraprake, rreth 40 persona kanë mbetur të plagosur. Shumica e tyre kanë pësuar dëmtime të lehta pasi janë goditur nga breshëri, tjegulla, copa çatie dhe materiale të shkëputura nga ndërtesat.

Një incident më serioz është regjistruar në Via Giuseppina, ku një pemë e rrëzuar ka goditur një automjet. Personat që ndodheshin brenda makinës janë nxjerrë nga banorët dhe më pas janë marrë nën kujdesin e ekipeve të emergjencës.

Stuhia ka shkaktuar dhjetëra thirrje për ndihmë te shërbimet zjarrfikëse, kryesisht për pemë të rrëzuara dhe automjete të dëmtuara. Dëme të konsiderueshme janë raportuar edhe në zonat bujqësore, veçanërisht në vreshta.

Moti i keq ka prekur edhe Bassa Piacentina, ku breshëri ka qenë veçanërisht i fortë. Në Castelsangiovanni, pranë provincës së Pavias, kokrrat e breshërit kanë arritur madhësinë e topave të tenisit.

Në autostradën Piacenza-Torino, reshjet e dendura kanë detyruar disa drejtues mjetesh të ndalojnë përkohësisht, ndërsa nuk janë raportuar persona të lënduar.

Probleme janë regjistruar edhe në Torino, ku zjarrfikësit kanë ndërhyrë për të shpëtuar tetë persona që kishin mbetur të bllokuar në rrugë në zonën Clot de la Batüa.

Ekipet e emergjencës vijojnë punën në zonat e prekura, ndërsa autoritetet po vlerësojnë dëmet e shkaktuara nga fenomeni ekstrem i motit./Versus.al

 

Poll