BOTA /

Nepal, 903 të vdekur dhe mbi 4,200 të zhdukur pas përmbytjeve. Vijojnë kërkimet në tunele

Në operacionet e shpëtimit janë angazhuar ekipe nepaleze, të mbështetura nga ekspertë kinezë dhe indianë.

Shkruar nga Versus

Nepal, 903 të vdekur dhe mbi 4,200 të zhdukur pas përmbytjeve.

Një katastrofë e përmasave të mëdha ka goditur Nepalit pas përmbytjeve masive që përfshinë zonat e Himalajeve dhe lanë pas qindra viktima e mijëra persona të zhdukur.

Sipas të dhënave të autoriteteve nepaleze, deri të hënën numri i viktimave ka shkuar në 903, ndërsa 4,247 persona vijojnë të rezultojnë të zhdukur. Mes tyre janë edhe 933 punëtorë të bllokuar në 11 projekte hidroenergjetike në rrethet Rasuwa dhe Nuwakot.

Në operacionet e shpëtimit janë angazhuar ekipe nepaleze, të mbështetura nga ekspertë kinezë dhe indianë. Shpëtuesit po punojnë për të hapur tunelet e mbuluara nga balta, gurët, uji dhe mbeturinat e sjella nga përmbytjet.

Ushtria nepaleze ka përdorur ekskavatorë, shpërthime të kontrolluara dhe pajisje ndriçimi për të pastruar zonat e bllokuara. Deri tani, ekipet kanë hyrë në dy tunele dhe kanë nxjerrë tre trupa, ndërsa kërkimet vijojnë në tunele dhe zona të tjera të prekura.

Përmbytja masive ndodhi të mërkurën në zonën kufitare mes Nepalit dhe Tibetit dhe dyshohet se u shkaktua nga shembja e një akullnaje. Përveç Nepalit, katastrofa ka shkaktuar viktima dhe të zhdukur edhe në territorin kinez. Autoritetet kineze raportojnë 16 të vdekur dhe 546 persona të zhdukur.

Kryqi i Kuq vlerëson se më shumë se 90 mijë njerëz mund të jenë prekur nga katastrofa.

Kryeministri nepalez Balendra Shah e ka cilësuar ngjarjen si një “katastrofë natyrore të paparë dhe shkatërruese”, ndërsa ka deklaruar se terreni i vështirë, moti i keq dhe rreziku i vazhdueshëm po e komplikojnë operacionin.

Rreth 21 mijë pjesëtarë të forcave të sigurisë, së bashku me punonjës civilë dhe vullnetarë, janë angazhuar në operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa autoritetet vijojnë përpjekjet për të gjetur të mbijetuarit dhe personat e zhdukur./Versus.al

Poll