BOTA /

Nga djali i një partizani në ‘’Kas*pi i Bosnjës’’/ Ratko Mlladiç, gjenerali që shpërndau ëmbëlsira në Srebrenicë para masakrës

Nga rrethimi i Sarajevës dhe gjenocidi i Srebrenicës te 16 vjet në arrati dhe jeta në Hagë – Gjenerali serb i Bosnjës vdiq në moshën 84 vjeç pa i pranuar kurrë krimet për të cilat u dënua më 11 korrik 1995

Shkruar nga Versus

Nga djali i një partizani në ‘’Kas*pi i

Ratko Mlladiç, ish-komandanti i ushtrisë serbo-boshnjake, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, ka vdekur në moshën 84-vjeçare në Hagë, ku po vuante dënimin. Ai nuk pranoi kurrë përgjegjësinë për krimet për të cilat u shpall fajtor.

Mladiç lindi në Bosnje gjatë Luftës së Dytë Botërore. Babai i tij, një partizan, u vra në vitin 1945. Më pas, ai ndoqi rrugën ushtarake dhe ndërtoi karrierën në Ushtrinë Popullore Jugosllave.

Me shpërbërjen e Jugosllavisë dhe nisjen e luftërave në rajon, Mladiç u bë në vitin 1992 komandant i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së Republika Srpska. Në atë kohë, lufta në Bosnje po shndërrohej në një nga konfliktet më të përgjakshme në Europë pas Luftës së Dytë Botërore.

Rrethimi i Sarajevës

Emri i tij u lidh ngushtë edhe me rrethimin e Sarajevës, i cili zgjati pothuajse katër vjet. Forcat serbo-boshnjake bombarduan zona të banuara dhe përdorën snajperë kundër civilëve.

Më shumë se 10 mijë persona humbën jetën gjatë rrethimit. Gjykata e Hagës arriti në përfundimin se sulmet ndaj civilëve kishin për qëllim terrorizimin e popullsisë dhe Mladiç u shpall fajtor për rolin e tij në këtë fushatë.

Srebrenica, momenti që e ktheu në “Kasapin e Bosnjës”
Por episodi që do ta lidhte përfundimisht emrin e Mladić me një prej krimeve më të rënda në Europën e pasluftës ishte Srebrenica.

Në korrik 1995, forcat serbo-boshnjake morën kontrollin e qytetit, i cili ishte shpallur nga OKB-ja si “zonë e sigurt”. Mijëra gra, fëmijë dhe të moshuar u drejtuan drejt bazës së trupave holandeze të OKB-së në Potoçari, ndërsa shumë burra tentuan të largoheshin përmes pyjeve.

Pamjet e asaj kohe tregojnë Mladiç duke hyrë në Srebrenicë dhe duke folur me civilët. Në një prej momenteve ai u shfaq duke shpërndarë ëmbëlsira për fëmijët dhe duke i siguruar se nuk kishin pse të frikësoheshin.

Por pas kësaj, burrat dhe djemtë u ndanë nga gratë dhe fëmijët. Nga 13 korriku nisën ekzekutimet masive.

Më shumë se 8 mijë burra dhe djem boshnjakë myslimanë u vranë, ndërsa viktimat u varrosën në varreza masive. Më vonë, në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimit, disa prej trupave u zhvarrosën dhe u transferuan në vende të tjera.

Gjykata e Hagës e cilësoi Srebrenicën si gjenocid dhe arriti në përfundimin se Mladić kishte një rol vendimtar në operacionin që çoi në këto krime.

16 vite në arrati

Pas përfundimit të luftës në Bosnje, Mladić nuk u arrestua menjëherë. Ai qëndroi për vite në Serbi, ndërsa autoritetet ndërkombëtare e kërkonin për krime lufte.

Vetëm më 26 maj 2011, autoritetet serbe e arrestuan në një shtëpi në fshatin Lazarevo. Pesë ditë më vonë ai u transferua në Hagë.

Gjyqi ndaj tij nisi në vitin 2012 dhe përfshiu dëshmitë e 377 dëshmitarëve. Më 22 nëntor 2017, ai u shpall fajtor për gjenocidin në Srebrenicë, përndjekje, shfarosje, vrasje, dëbime dhe krime të tjera kundër civilëve.

Dënimi: burgim i përjetshëm.

Apeli i tij u rrëzua më 8 qershor 2021, duke e bërë dënimin përfundimtar.

Vdiq pa kërkuar falje

Në ditët e fundit të jetës, gjendja shëndetësore e Mladić ishte përkeqësuar ndjeshëm. Avokatët e tij kërkuan lirimin për arsye humanitare dhe transferimin e tij në Serbi, por kërkesa u refuzua.

Mladić nuk shprehu kurrë pendesë për krimet për të cilat u dënua dhe deri në fund pretendoi se kishte luftuar në mbrojtje të popullit serb.

Sot, emri i tij mbetet i lidhur në mënyrë të pandashme me rrethimin e Sarajevës dhe gjenocidin e Srebrenicës, ndërsa viktimat dhe familjet e tyre vazhdojnë të përballen me pasojat e asaj lufte./Versus.al

Poll