Janë publikuar pamje të reja, të paqarkulluara më parë, që tregojnë orët e para të arrestimit të ish-bosit famëkeq të kartelit Sinaloa, Joaquín “El Chapo” Guzmán, pas kapjes së tij në Meksikë më 8 janar 2016.
Katër video të publikuara nga gazeta meksikane El Universal sjellin momente nga koha menjëherë pas arrestimit dhe para ekstradimit të tij në Shtetet e Bashkuara.
Në njërën prej pamjeve, “El Chapo” shihet duke kërkuar sapun dhe duke larë fytyrën, ndërsa më pas pyet nëse sapuni mund t’i irritojë sytë.
Policia i lejon gjithashtu të heqë bluzën e mbuluar me baltë.
Për shkak të frikës se anëtarët e kartelit Sinaloa mund të tentonin ta lokalizonin, autoritetet e dërguan atë dhe truprojën e tij, Orso Iván “El Cholo Iván” Gastelum, në një hotel, ndërsa prisnin përforcimet përpara transferimit të tyre në një objekt ushtarak në Mexico City.
Në një tjetër video, Guzmán shfaqet i prangosur në pjesën e pasme të një automjeti dhe mohon se është keqtrajtuar nga autoritetet.
Gjatë marrjes në pyetje, ai pranon se ishte marrë me kultivimin e kanabisit dhe trafikimin e drogës që në moshë të re, ndërsa mohon se merrej me vjedhje.
Por një nga momentet më të veçanta është deklarata e tij se karteli nuk do të ndërmerrte një operacion për ta liruar, nëse ai do të arrestohej.
Guzmán u shpreh se nuk dëshironte që njerëzit e tij të përplaseshin me qeverinë dhe se nuk do të kishte “luftë” për lirimin e tij.
Kjo deklaratë bie në kontrast me atë që ndodhi në vitin 2019, kur anëtarë të kartelit Sinaloa ndërmorën një operacion të armatosur në Culiacán për të siguruar lirimin e djalit të tij, Ovidio Guzmán López.
Videoja e katërt tregon “El Chapon” dhe Gastelum të ulur në një avion, me kokat e mbuluara.
Guzmán u ekstradua në SHBA më 19 janar 2017 dhe në vitin 2019 u dënua me burgim të përjetshëm nga një gjykatë federale në Brooklyn.
Aktualisht ai mbahet në burgun e sigurisë së lartë ADX Florence, në Kolorado./Versus.al

