
Një operacion i gjerë antidrogë është zhvilluar në Mykonos, ku janë arrestuar 10 persona, në kuadër të hetimeve ndaj një organizate kriminale të dyshuar për trafikimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në ishull.
Operacioni u zhvillua në orët e para të 21 gushtit 2026 nga oficerët e Nën-Drejtorisë së Narkotikëve të Drejtorisë për Luftën kundër Krimit të Organizuar, me mbështetjen e njësive të operacioneve speciale të Policisë Helenike.
Nëntë prej të arrestuarve dyshohet se janë pjesë e organizatës kriminale, ndërsa një 22-vjeçar është arrestuar për posedim të lëndëve narkotike.
Sipas policisë greke, grupi kishte krijuar një mekanizëm të mirëorganizuar për sigurimin, transportimin, ruajtjen dhe shpërndarjen e drogës në Mykonos. Disa prej anëtarëve dyshohet se shfrytëzonin punën në sektorin e transportit të pasagjerëve dhe kontaktet me turistët për të gjetur klientë të mundshëm.
Në krye të organizatës, sipas hetimeve, qëndronte një 35-vjeçar. Ai dyshohet se siguronte drogën, organizonte transportimin e saj drejt Mykonosit dhe e ruante në një banesë që shërbente si bazë e grupit.
35-vjeçari dyshohet se merrej gjithashtu me përgatitjen e drogës për shpërndarje, furnizimin e anëtarëve të tjerë, gjetjen e klientëve, transportimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike. Ai kishte gjithashtu rol në mbledhjen dhe administrimin e një pjese të fitimeve.
Një tjetër 35-vjeçar, bashkëpunëtor i drejtpërdrejtë i tij, dyshohet se kujdesej për ruajtjen e drogës, sigurimin e klientëve dhe furnizimin e anëtarëve të tjerë të rrjetit.
Ndërkohë, një 54-vjeçar dyshohet se kishte rol në administrimin e parave të përfituara nga aktiviteti i paligjshëm. Sipas policisë, ai merrej me ruajtjen e të ardhurave dhe transferimin e fitimeve nga Mykonosi drejt Athinës.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit të organizatës dhe përcaktimin e rolit të secilit prej personave të arrestuar./Versus.al

