
Një operacion i fshehtë në Ngushticën e Hormuzit po ndihmon në parandalimin e një rritjeje edhe më të madhe të çmimeve të naftës, në një kohë kur konflikti në rajon ka shkaktuar tronditje të forta në tregun global të energjisë.
Sipas raportimit supertankeret po kalojnë ngushticën gjatë natës me sistemet e identifikimit dhe gjurmimit të fikura.
Disa prej tyre lundrojnë nën shoqërimin e forcave amerikane, me qëllim shmangien e sulmeve me dronë.
Këto anije transportojnë miliona fuçi naftë nga Gjiri Persik drejt Gjirit të Omanit, ku ngarkesat transferohen më pas në anije të tjera.
Duke fikur sistemin AIS, anijet nuk shfaqen në sistemet e zakonshme të monitorimit të trafikut detar.
Sipas të dhënave të Departamentit amerikan të Energjisë, përmes Ngushticës së Hormuzit vazhdojnë të kalojnë rreth 8 deri në 9 milionë fuçi naftë në ditë, një sasi shumë më e lartë se ajo që vlerësohet nga disa analistë dhe kompani monitorimi që mbështeten te sinjalet AIS.
Raportimi thekson se rreth 80% e trafikut në ngushticë gjatë dy javëve të fundit është kryer pa transmetues aktivë, me anijet që lundrojnë sa më pranë brigjeve të Omanit dhe larg Iranit.
Ndërkohë, Arabia Saudite po përdor edhe rrugë alternative për eksportin e naftës, duke transportuar rreth 5 milionë fuçi në ditë përmes një tubacioni drejt portit të Yanbu në Detin e Kuq.
Pavarësisht këtyre masave, situata mbetet e rrezikshme. Ngushtica e Hormuzit është vetëm rreth 37 kilometra e gjerë në pikën e saj më të ngushtë dhe anijet mund të zbulohen nga radarët apo satelitët edhe kur sistemet e identifikimit janë të fikura.
Presioni mbi tregun po reflektohet edhe te karburantet.
Çmimi i naftës po i afrohet nivelit të 100 dollarëve për fuçi, ndërsa benzina, nafta dhe karburanti i aviacionit po përballen me rritje të mëtejshme.
Ekspertët vlerësojnë se këto masa po i japin tregut global kohë për të shmangur skenarin më të keq, por ato nuk mund të zëvendësojnë për një kohë të gjatë një furnizim të qëndrueshëm dhe të sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit./Prothema përshtati në shqip Versus.al

