BOTA /

Përshkallëzohet konflikti SHBA-Iran/ Teherani godet baza amerikane në Jordani dhe Emirate, pas sulmit në Larak

Raportimet flasin për sulme me dronë ndaj bazës Al Minhad.

Shkruar nga Versus

Përshkallëzohet konflikti SHBA-Iran/ Teherani godet baza amerikane

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë përshkallëzuar ndjeshëm pas një serie sulmesh të ndërsjella gjatë orëve të fundit.

Garda Revolucionare Islamike e Iranit deklaroi se ka ndërmarrë një operacion me raketa balistike dhe dronë kundër dy bazave amerikane në Jordani, King Hussein dhe Al Azraq. Sipas Teheranit, në shënjestër kanë qenë infrastruktura teknike, objektet e mirëmbajtjes dhe pozicionet ku ndodheshin avionë luftarakë amerikanë. Garda pretendon se sulmet shkaktuan “dëme të rënda”.

Jordania, ndërkohë, njoftoi se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore kanë interceptuar tetë raketa që hynë në hapësirën ajrore të vendit. Nuk ka ende një bilanc të konfirmuar për viktima apo dëme të konsiderueshme në bazat amerikane.

Sulmi iranian erdhi pas një goditjeje amerikane ndaj dy lëshuesve iranianë në ishullin Larak, në Ngushticën e Hormuzit. Sipas SHBA-së, lëshuesit po përgatiteshin për të hedhur raketa që mund të vendosnin mina detare në këtë korridor strategjik të transportit.

Ndërkohë, ushtria iraniane ka deklaruar gjithashtu se ka goditur objektiva amerikane në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku janë të dislokuara forca amerikane. Raportimet flasin për sulme me dronë ndaj bazës Al Minhad.

Përplasja e fundit shënon një tjetër fazë të rrezikshme në konfliktin mes Uashingtonit dhe Teheranit, ndërsa shqetësimet për përhapjen e luftimeve në të gjithë rajonin janë rritur./Versus.al 

Poll