
Rreth 5 mijë marinarë dhe pjesëtarë të Trupave të Marinës amerikane në bordin e aeroplanmbajtëses USS “Abraham Lincoln” po përballen me një mision të zgjatur prej gati nëntë muajsh në det, duke ngritur shqetësime për lodhjen, kushtet e jetesës dhe moralin e ekuipazhit.
Sipas një raportimi të CNN, të cituar nga Proto Thema, misioni është zgjatur për shkak të operacioneve ushtarake në Lindjen e Mesme.
Aeroplanmbajtësja u nis nga San Diego më 21 nëntor 2025 dhe vazhdon të jetë në mision.
Kjo periudhë është dukshëm më e gjatë se kohëzgjatja standarde e një misioni të Marinës amerikane, e cila zakonisht është rreth shtatë muaj ose 210 ditë.
“Çdo ditë presim të mësojmë kur do të kthehemi”
Anëtarë të ekuipazhit kanë përshkruar një situatë të rënduar psikologjikisht, me moral shumë të ulët dhe pasiguri për kohën e kthimit. Një marinar i tha CNN se pjesëtarët e ekuipazhit zgjohen çdo ditë duke shpresuar të marrin informacion për kthimin në bazë.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, të paktën dy marinarë kanë tentuar të hidhen në det, ndërsa disa pjesëtarë të ekuipazhit kanë folur për raste të mendimeve vetëvrasëse. Megjithatë, Marina amerikane ka kundërshtuar pretendimin se ka pasur rritje të rasteve të tilla, duke deklaruar se në bord janë të disponueshëm mjekë, profesionistë të shëndetit mendor dhe kapelanë ushtarakë.
Ankesa për ushqimin, ujin dhe higjienën
Raportimi ngre gjithashtu shqetësime për kushtet bazë të jetesës në bordin e aeroplanmbajtëses. Janë raportuar mungesa të ushqimeve dhe produkteve të higjienës personale, ndërsa sistemi i furnizimit me ujë ka shfaqur probleme të përsëritura.
Në disa periudha, tualetet dhe pikat e ujit të pijshëm kanë dalë jashtë funksionit, ndërsa janë raportuar edhe raste kur nuk ka pasur ujë të ngrohtë. Për më tepër, pjesëtarët e ekuipazhit kanë deklaruar se sasitë e disa produkteve bazë që mund të blejnë në dyqanin e anijes janë kufizuar.
Nuk po lodhet vetëm ekuipazhi
Zgjatja e misionit po ndikon edhe në vetë aeroplanmbajtësen. Sipas ekspertëve të cituar nga CNN, sa më gjatë të qëndrojë një anije në operacione, aq më shumë konsumohen pjesët kritike dhe aq më të vështira bëhen mirëmbajtjet në det.
Ndër elementët që pësojnë konsum janë edhe kabllot e frenimit të avionëve, të cilat përdoren gjatë uljes së avionëve luftarakë në kuvertën e aeroplanmbajtëses. Ekspertët paralajmërojnë se grumbullimi i problemeve teknike mund të rrisë rrezikun e aksidenteve.
Raportimi vëren gjithashtu se misionet e aeroplanmbajtëseve amerikane janë zgjatur ndjeshëm vitet e fundit. Disa prej tyre kanë kaluar 250 ditë, ndërsa USS “Gerald R. Ford” ka qëndruar në mision për 326 ditë.
Një tjetër shqetësim për drejtuesit e Marinës amerikane është mundësia që lodhja dhe zgjatja e misioneve të bëjnë që personeli me përvojë, veçanërisht pilotët dhe specialistët e mirëmbajtjes, të largohet nga shërbimi.Përshtati në shqip Versus.al

