
Sekretari i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, Dan Driscoll, ka dhënë dorëheqjen nga detyra pas rreth 18 muajsh në këtë post.
Largimi i tij është konfirmuar nga CBS, e cila raporton se vendimi erdhi pas disa muajsh konfliktesh dhe mosmarrëveshjesh mes Driscoll dhe Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth.
Në moshën 41-vjeçare, Driscoll ishte sekretari më i ri i Ushtrisë në historinë e SHBA-së. Gjatë mandatit të tij, ai u cilësua shpesh si “njeriu i dronëve” i Presidentit Donald Trump, për shkak të fokusit të tij në teknologjitë e reja ushtarake.
Shtëpia e Bardhë e ka vlerësuar punën e Driscoll, duke deklaruar për CBS se ai ka qenë “shumë efektiv” në avancimin e agjendës së administratës Trump për forcimin e ushtrisë amerikane dhe ka ofruar “udhëheqje të jashtëzakonshme” gjatë operacioneve ushtarake.
Dorëheqja e Driscoll vjen në një periudhë ndryshimesh të rëndësishme në nivelet e larta të drejtimit ushtarak amerikan. Ai është një prej disa zyrtarëve të lartë që janë larguar së fundmi nga detyra.
Mes tyre është edhe Sekretari i Marinës, John Phelan, i cili dha dorëheqjen papritur në prill. Po ashtu, nga detyra janë larguar shefi i Shtabit të Ushtrisë, Randy George, gjenerali David Hodne dhe gjeneralmajori William Green.
Që prej marrjes së detyrës në Pentagon, Pete Hegseth ka ndërmarrë një sërë ndryshimesh në strukturat drejtuese të ushtrisë amerikane, duke shkarkuar dhjetëra oficerë të lartë, përfshirë shefin e Operacioneve Detare dhe zëvendësshefin e Shtabit të Forcave Ajrore./Versus.al

