BOTA /

SHBA përgatitet të revokojë deri në 200 mijë viza, preken personat që kanë kërkuar azil

Masa pritet të prekë vizat B1 dhe B2, të lëshuara gjatë periudhës 2016–2026. Këto viza përdoren kryesisht për udhëtime biznesi, turizëm, vizita familjare apo trajtime mjekësore.

Shkruar nga Versus

SHBA përgatitet të revokojë deri në 200 mijë viza,

Administrata e Presidentit Donald Trump po përgatitet të revokojë vizat e biznesit dhe turizmit për shtetas të huaj që kanë aplikuar ose që aktualisht po kërkojnë azil në Shtetet e Bashkuara.

Lajmi është bërë i ditur nga Departamenti amerikan i Shtetit, ndërsa ende nuk ka një shifër zyrtare për numrin e vizave që do të preken nga kjo masë. Sipas vlerësimeve të Associated Press, bazuar në dokumente të Departamentit të Shtetit dhe deklaratat e dy zyrtarëve amerikanë, numri mund të arrijë deri në 200 mijë.

Nëse zbatohet në këtë përmasë, bëhet fjalë për një nga revokimet më të mëdha të vizave në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Masa pritet të prekë vizat B1 dhe B2, të lëshuara gjatë periudhës 2016–2026. Këto viza përdoren kryesisht për udhëtime biznesi, turizëm, vizita familjare apo trajtime mjekësore.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott, tha se autoritetet amerikane po bashkëpunojnë me Departamentin e Sigurisë Kombëtare për të identifikuar dhe revokuar vizat e personave që kanë hyrë në SHBA si vizitorë afatshkurtër, por më pas kanë paraqitur kërkesa për azil.

Pigott nuk dha një shifër konkrete, duke theksuar se numri është “dinamik” dhe mund të ndryshojë vazhdimisht. Revokimet pritet të njoftohen gjatë javëve të ardhshme.

Revokimi nuk nënkupton dëbim të menjëhershëm
Sipas zyrtarëve amerikanë, humbja e vizës nuk do të thotë domosdoshmërisht dëbim i menjëhershëm nga SHBA-ja. Personat me kërkesa për azil ende në shqyrtim mund të rikategorizohen dhe të humbasin statusin e tyre si udhëtarë për qëllime biznesi ose turizmi.

Zëvendëssekretari i Shtetit, Christopher Landau, ka kritikuar përdorimin e vizave turistike dhe të biznesit për të paraqitur kërkesa për azil.

“Azili nuk është menduar të jetë një rrugë anësore për të shmangur ligjin e imigracionit”, shkroi Landau në platformën X.

Aktualisht, aplikantëve për viza B1 dhe B2 u kërkohet të deklarojnë se nuk kanë ndërmend të kërkojnë azil dhe se synojnë të kthehen në vendin e tyre të origjinës.

Megjithatë, mbetet ende e paqartë se sa nga mbajtësit aktualë të këtyre vizave kanë paraqitur kërkesa për azil në Shtetet e Bashkuara./DW

Poll