
Stambolli është përfshirë nga reshje të dendura shiu, duke shkaktuar probleme në qarkullim dhe disa aksidente rrugore në zona të ndryshme të qytetit.
Reshjet, të shoqëruara me grumbullime uji në rrugë, kanë prekur veçanërisht zonat e Şilës, Sultanbeylit, Maltepes dhe ishujt në pjesën aziatike të Stambollit. Autoritetet meteorologjike kishin paralajmëruar më herët për përkeqësimin e kushteve atmosferike.
Situata është rënduar edhe nga dy aksidente të veçanta, ku gjithsej 10 persona kanë mbetur të plagosur.
Në Esenyurt, 11 automjete janë përfshirë në një përplasje zinxhir në rrugën lidhëse O-3 të autostradës TEM, në segmentin Avcılar-Haramidere. Si pasojë e përplasjes, gjashtë persona kanë marrë lëndime.
Aksidenti i dytë ka ndodhur në Üsküdar, në zonën Uzunçayır, ku tre automjete janë përplasur me njëra-tjetrën. Katër persona kanë mbetur të plagosur.
Në të dyja vendngjarjet janë angazhuar ekipet e Policisë, ambulancat dhe zjarrfikësit. Të plagosurit janë nxjerrë nga automjetet dhe, pasi kanë marrë ndihmën e parë, janë dërguar në spitalet e zonave përkatëse.
Ndërkohë, reshjet kanë shkaktuar vështirësi edhe në akse të tjera rrugore të Stambollit, ku janë regjistruar aksidente me dëme materiale.
Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa drejtuesve të automjeteve u bëhet thirrje të tregojnë kujdes për shkak të rrugëve të lagështa dhe shikueshmërisë së reduktuar.

