Një 22-vjeçare italiane ka humbur jetën dhe pesë persona të tjerë janë plagosur pas të shtënave me armë në një festë techno rave në Aarau të Zvicrës. Për ngjarjen është arrestuar një 43-vjeçar zviceran.
Ngjarja ndodhi rreth orës 02:30 të mëngjesit të së dielës, në pistën e garave me kuaj Schachen, ku po zhvillohej një event me rreth 3,500 pjesëmarrës.
Viktima, e identifikuar si Maria Spinelli, 22 vjeçe, humbi jetën në vendngjarje. Pesë persona të tjerë mbetën të plagosur, ndërsa katër prej tyre, të moshave 24 deri në 27 vjeç, u transportuan në spital për trajtim mjekësor. Gjendja e tyre varion nga e lehtë në të rëndë.
Pas të shtënave, policia zvicerane ndërmori një operacion të gjerë për gjetjen e autorit. Kërkimet zgjatën për afro 24 orë dhe i dyshuari u arrestua pak para orës 01:00 të së hënës.
Policia e kantonit Aargau konfirmoi arrestimin dhe bëri të ditur se hetimet vijojnë për të zbardhur motivin dhe rrethanat e sakta të sulmit.
Autoritetet po verifikojnë gjithashtu nëse 43-vjeçari kishte ndonjë lidhje me viktimat apo pjesëmarrësit e festës. Sipas të dhënave paraprake të policisë, dyshohet se ai ka vepruar i vetëm./Versus.al

