BOTA /

Tragjedi në det pranë Qipros, përmbyset trageti me 267 persona në bord: 7 të vdekur, 23 rezultojnë të zhdukur

Nga incidenti kanë humbur jetën të paktën 7 persona, ndërsa 23 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.

Shkruar nga Versus

Tragjedi në det pranë Qipros, përmbyset trageti me 267 persona

Një tragjedi detare është shënuar pranë brigjeve të Qipros veriore, ku një katamaran pasagjerësh është përmbysur teksa po udhëtonte drejt Tasuxhusë, në provincën turke të Mersinit. Sipas përditësimit më të fundit të raportuar nga Proto Thema, në bord ndodheshin 267 persona, 259 pasagjerë dhe 8 anëtarë ekuipazhi.

Nga incidenti kanë humbur jetën të paktën 7 persona, ndërsa 23 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur. Rreth 159 persona janë raportuar të shpëtuar pas një operacioni të gjerë kërkim-shpëtimi, ku janë angazhuar rojet bregdetare turkoqipriote, mjete private, peshkarexha dhe anije të tjera që ndodheshin në zonë.

Sipas informacioneve paraprake, anija nisi të marrë ujë nga pjesa e përparme vetëm pak kilometra pasi ishte larguar nga porti turistik i Kyrenias. Kapiteni tentoi të rikthehej në port, por situata u përkeqësua me shpejtësi dhe katamarani përfundoi duke u përmbysur. Disa pasagjerë u detyruan të hidhen në det për të shpëtuar.

Në zonë janë mobilizuar edhe ambulanca dhe ekipe mjekësore, ndërsa spitalet janë vendosur në gatishmëri për të pritur personat e nxjerrë nga deti.

Shkaku i incidentit ende nuk është përcaktuar. Autoritetet po hetojnë rrethanat e ngjarjes, ndërsa në zonë janë raportuar mot i rënduar dhe erëra të forta. Megjithatë, deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar se kushtet atmosferike kanë shkaktuar përmbysjen.

Ndërkohë, Republika e Qipros ka deklaruar gatishmërinë për të ndihmuar në operacionin e kërkim-shpëtimit, duke vënë në dispozicion mjetet e saj detare dhe ajrore nëse do të kërkohet ndërhyrja./Versus.al

Poll