
Nepali ka rifilluar operacionet e kërkim-shpëtimit pas një pezullimi të përkohshëm për shkak të kushteve të këqija atmosferike, ndërsa vijojnë kërkimet për afro 3 mijë persona të zhdukur pas përmbytjeve shkatërruese në rajonin kufitar me Tibetin.
Sipas të dhënave të raportuara nga Reuters, të paktën 669 persona kanë humbur jetën në Nepal, ndërsa shtatë të tjerë në Tibet, duke e çuar bilancin e viktimave në 676.
Katastrofa u shkaktua nga shembja e një akullnaje, e cila solli një rrjedhë masive shkëmbinjsh, akulli, balte dhe mbeturinash përgjatë lumenjve malorë.
Përmbytjet kanë shkaktuar dëme të mëdha në banesa, ura dhe infrastrukturën energjetike, ndërsa mijëra persona vijojnë të konsiderohen të zhdukur.
Në Nepal rezultojnë të zhdukur rreth 2,426 persona, ndërsa 554 të tjerë në qarkun Gyirong të Tibetit. Mes tyre janë edhe të paktën 540 shtetas të huaj, shumë prej të cilëve pelegrinë hindu nga India.
Operacionet e kërkim-shpëtimit u ndërprenë përkohësisht për shkak të shiut dhe mjegullës, por autoritetet i kanë rinisur pas përmirësimit të kushteve atmosferike.
Në zonën e Rasuvas, një prej distrikteve më të goditura, helikopterët kanë rifilluar fluturimet për kërkimin dhe shpëtimin e personave të bllokuar.
Ndërkohë, qeveria nepaleze ka kërkuar ndihmë të specializuar nga jashtë për përballimin e situatës.
Ministri i Financave i Nepalit ka deklaruar gjithashtu se vendit do t’i nevojiten rreth 4 deri në 5 miliardë dollarë për rindërtimin e zonave të shkatërruara nga katastrofa.
Autoritetet vijojnë operacionet në terren, ndërsa familjarët presin informacion për fatin e personave ende të zhdukur./Versus.al

