
Policia greke ka publikuar identitetin dhe fotografitë e një 23-vjeçari afgan, i dyshuar për përfshirje në një rast të rëndë të trafikimit të drogës dhe abuzimit seksual ndaj të miturve.
Sipas autoriteteve greke, i riu dyshohet se gjatë vitit të kaluar u është afruar tre vajzave të mitura në Selanik, duke u ofruar drogë ose alkool dhe më pas duke kryer akte seksuale me to.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se 23-vjeçari dyshohet se ka furnizuar me lëndë narkotike tre djem të mitur, kundrejt pagesës.
Gjatë kontrollit në banesën e të dyshuarit, policia ka gjetur dhe sekuestruar tableta narkotike, MDMA, si dhe një telefon celular, të cilat janë marrë si prova në kuadër të hetimit.
Autoritetet greke vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të aktivitetit të të dyshuarit dhe për të verifikuar nëse ka persona të tjerë të përfshirë.
Policia greke, ELAS, u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë informacion në lidhje me rastin të kontaktojnë Nëndrejtorinë e Mbrojtjes së të Miturve në Selanik.
Publikimi i të dhënave dhe fotografive të 23-vjeçarit është bërë me urdhër të prokurorit, ndërsa autoritetet kanë garantuar ruajtjen e anonimatit dhe konfidencialitetit për personat që do të japin informacion./Versus.al

