BOTA /

Tronditet New Yorku/ Sulm me thikë në Times Square, një viktimë dhe një i plagosur! Policia qëllon për vdekje autoren

Autoritetet thanë se gruaja kishte histori të dokumentuar të problemeve të shëndetit mendor në kontaktet me policinë gjatë viteve 2018 dhe 2019, por nuk kishte qenë e arrestuar më parë.

Shkruar nga Versus

Tronditet New Yorku/ Sulm me thikë në Times Square, një

Një sulm me thikë në një prej zonave më të frekuentuara të Nju Jorkut ka përfunduar me një viktimë dhe një të plagosur. Ngjarja ndodhi në Times Square, ku një 49-vjeçare sulmoi me thikë një burrë 68-vjeç dhe një grua 32-vjeçare.

Sipas Policisë së Nju Jorkut, autorja e dyshuar, banore në Queens, nxori dy thika nga një qese pazari dhe sulmoi fillimisht 68-vjeçarin, i cili sapo kishte dalë nga stacioni i metrosë dhe po priste të kalonte rrugën së bashku me bashkëshorten. Pak më pas, ajo sulmoi edhe 32-vjeçaren.

Të dy të plagosurit u dërguan me urgjencë në spital. 32-vjeçarja nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra, ndërsa 68-vjeçari ndodhet në gjendje të qëndrueshme.

Pas sulmit, policët i kërkuan vazhdimisht 49-vjeçares të hidhte thikat. Efektivët përdorën edhe një Taser, por ajo nuk iu bind urdhrave.

Sipas komisioneres së Policisë së Nju Jorkut, Jessica Tisch, gruaja u shpreh: “Nuk do të lëshoj asgjë. Më mirë t’ju vras të dyve.”

Pak çaste më vonë, 49-vjeçarja u afrua drejt efektivëve ndërsa mbante thikat në duar. Dy prej policëve hapën zjarr ndaj saj, duke e lënë të vdekur në vend.

Pamjet e publikuara nga vendngjarja tregojnë momentet e përballjes mes policisë dhe gruas, përpara se situata të përshkallëzohej dhe efektivët të qëllonin.

Autoritetet thanë se gruaja kishte histori të dokumentuar të problemeve të shëndetit mendor në kontaktet me policinë gjatë viteve 2018 dhe 2019, por nuk kishte qenë e arrestuar më parë.

 

 

Poll