BOTA /

Ukrainë, tronditet kabineti i Zelenskit, përfundon në pranga zëvendësja e tij

Bëhet fjalë për Iryna Mudra, ish-zëvendësshefe e Zyrës Presidenciale, e cila sipas mediave ukrainase është ndaluar në kuadër të një hetimi të Byrosë Kombëtare Kundër Korrupsionit të Ukrainës, NABU.

Shkruar nga Versus

Ukrainë, tronditet kabineti i Zelenskit, përfundon në pranga

Një operacion i gjerë antikorrupsion në Ukrainë ka prekur nivelet më të larta të administratës së presidentit Volodymyr Zelensky, me një prej zyrtareve të larta që raportohet të jetë arrestuar vetëm pak orë pasi u shkarkua nga detyra.

Bëhet fjalë për Iryna Mudra, ish-zëvendësshefe e Zyrës Presidenciale, e cila sipas mediave ukrainase është ndaluar në kuadër të një hetimi të Byrosë Kombëtare Kundër Korrupsionit të Ukrainës, NABU.

Lajmi për arrestimin u bë publik nga deputeti ukrainas Oleksiy Goncharenko dhe më pas u raportua edhe nga mediat vendase.

Mudra u shkarkua nga posti me dekret presidencial dhe, sipas raportimeve, pak orë më vonë u bë pjesë e operacionit të zhvilluar nga NABU dhe Prokuroria e Specializuar Kundër Korrupsionit, SAPO.

Hetimi lidhet me një organizatë të dyshuar kriminale, e cila, sipas autoriteteve, drejtohej nga një deputet aktual dhe një ish-deputet dhe dyshohet se ishte përfshirë në një skemë pastrimi parash. Në hetim janë përfshirë edhe zyrtarë të lartë.

Operacioni është koduar “Forest Gump” dhe hetuesit kanë kryer kontrolle në disa ambiente. Autoritetet kanë bërë publike edhe pjesë të bisedave të përgjuara, që dyshohet se lidhen me aktivitetin e grupit.

Iryna Mudra ka mbajtur një rol të rëndësishëm në administratën presidenciale, duke qenë përgjegjëse për çështjet ligjore dhe reformën në drejtësi. Përpara se të bashkohej me ekipin e Zelenskyt, ajo kishte shërbyer si zëvendësministre e Drejtësisë.

Raportimi për arrestimin e saj i jep një dimension të fortë politik hetimit, pasi bëhet fjalë për një zyrtare që deri në të njëjtën ditë ishte pjesë e niveleve të larta të Presidencës ukrainase.

NABU dhe SAPO pritet të japin më shumë detaje mbi hetimin, akuzat dhe personat e tjerë që dyshohet se janë të përfshirë në këtë organizatë kriminale./Versus.al

Poll