Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Serbisë për varrimin me nderime shtetërore dhe ushtarake të Ratko Mladiçit, ish-komandantit të ushtrisë serbe të Bosnjës, i dënuar për gjenocid dhe krime lufte.
Plenkoviç ka paralajmëruar se një vendim i tillë mund të ndikojë në procesin e integrimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.
Sipas tij, nderimi zyrtar i Mladiçit, i cili u dënua me burgim të përjetshëm për rolin e tij në krimet e kryera gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë, mund të sjellë pasoja politike për Beogradin në raport me Brukselin.
Ndërkohë, presidenti serb Aleksandar Vuçiç është përballur me presion lidhur me ceremoninë e varrimit. Ai ka deklaruar se Serbia do të ndihmojë në kthimin dhe varrimin e trupit të Mladiçit, ndërsa Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur se ish-komandanti do të përcillet me nderimet më të larta shtetërore.
Vendimi ka shkaktuar reagime në rajon, veçanërisht për shkak të së kaluarës së Mladiçit dhe krimeve për të cilat ai është dënuar nga drejtësia ndërkombëtare.
Ratko Mladiç vdiq më 27 gusht në Hagë, në moshën 84-vjeçare, ndërsa vuante dënimin e përjetshëm për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ai u shpall përgjegjës për një sërë krimesh gjatë luftës së Bosnjës, përfshirë masakrën e Srebrenicës dhe rrethimin e Sarajevës.
Deklaratat e Plenkoviçit rikthejnë në qendër të vëmendjes marrëdhënien mes politikës së Serbisë ndaj figurave të luftës dhe ambicies së saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian./Versus.al

