Vdekja e Ratko Mlladiçit, ish-komandantit të Ushtrisë së Republika Srpskës dhe i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime lufte, ka rikthyer në qendër të vëmendjes debatin mbi kujtesën e luftërave në Ballkan.
Mlladiç ndërroi jetë në Hagë në moshën 84-vjeçare, ndërsa vuante dënimin për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Ai u shpall përgjegjës, ndër të tjera, për gjenocidin e Srebrenicës në vitin 1995, ku u vranë më shumë se 8 mijë burra dhe djem boshnjakë.
Ministri serb i Drejtësisë, Nenad Vujiç, ka deklaruar se ish-gjenerali do të marrë “të gjitha nderimet ushtarake dhe shtetërore që i takojnë”.
Sipas tij, vendin e varrimit do ta përcaktojë familja, ndërsa Beogradi është i gatshëm të dërgojë një delegacion në Holandë për të sjellë trupin e Mlladiçit në Serbi.
“Mlladiç është gjeneral dhe protokollet janë të njohura. Edhe roli i tij është i njohur, por ajo që i takon gjeneralit Mlladiç sigurisht që do të respektohet”, deklaroi ministri.
Deklarata ka shkaktuar reagime të forta, veçanërisht në Bosnje dhe Hercegovinë. Në Republika Srpska, disa figura politike kanë marrë pjesë në ceremoni përkujtimore për Mlladiçin, ndërsa Milorad Dodik e ka cilësuar vdekjen e tij si “një vrasje” dhe e ka paraqitur ish-komandantin si një person që kishte luftuar për mbrojtjen e serbëve.
Në Srebrenicë, qëndrimi është diametralisht i kundërt. Drejtori i Memorialit të Srebrenicës, Emir Suljagiç, ka deklaruar se vdekja e Mlladiçit nuk ndryshon vendimet e gjykatave dhe as nuk zhduk viktimat e varreve masive.
Mbështetja publike për Mlladiçin është shfaqur edhe në stadiume. Tifozët e Crvena Zvezdës shpalosën një banderolë në nderim të tij gjatë një ndeshjeje europiane, duke nxitur reagimin e Memorialit të Srebrenicës, i cili i është drejtuar UEFA-s për masa ndaj klubit.
Mlladiç u dënua në vitin 2017 dhe vendimi u konfirmua në apel në vitin 2021. Përveç Srebrenicës, ai u shpall përgjegjës edhe për krime të kryera gjatë rrethimit të Sarajevës.
Ndërkohë, Mekanizmi Ndërkombëtar Rezidual për Tribunalet Penale ka urdhëruar një hetim mbi rrethanat e vdekjes së tij, ndërsa autoritetet holandeze kanë nisur procedurat përkatëse.
Rasti ka rikthyer edhe një herë përplasjen mes dy narrativave për luftërat e viteve ’90: glorifikimit të figurave të dënuara për krime lufte në Serbi dhe kujtesës së viktimave në Bosnje e Hercegovinë./Versus.al

