Ratko Mlladiç, ish-komandanti i Shtabit Kryesor të Ushtrisë së Republika Sërpskës gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, ka vdekur në moshën 84-vjeçare, raportojnë mediat serbe.
Mlladiç po vuante dënimin me burgim të përjetshëm në Hagë, pasi në vitin 2017 u shpall fajtor për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës. Dënimi i tij u konfirmua në apel në vitin 2021.
Ai konsiderohet një nga figurat kryesore ushtarake të luftës së Bosnjës, veçanërisht për rolin e tij në gjenocidin e Srebrenicës, në korrik 1995. Forcat serbe të Bosnjës nën komandën e tij vranë më shumë se 8 mijë burra dhe djem boshnjakë myslimanë pas marrjes së qytetit.
Mlladiç u shpall gjithashtu përgjegjës për krime të kryera gjatë rrethimit të Sarajevës, ku civilët u përballën me bombardime dhe sulme me snajperë.
Ai u arrestua në Serbi më 26 maj 2011, pas më shumë se 15 vitesh në arrati, dhe u transferua në Hagë për t’u përballur me drejtësinë ndërkombëtare.
Roli në masakrën e Srebrenicës
Një prej krimeve kryesore për të cilat Mlladiç u dënua ishte gjenocidi në Srebrenicë, në korrik të vitit 1995. Forcat serbe të Bosnjës, nën komandën e tij, vranë më shumë se 8 mijë burra dhe djem myslimanë boshnjakë pas marrjes së qytetit, i cili ishte shpallur zonë e sigurt nga OKB-ja.
Gjykata ndërkombëtare e shpalli Mlladiçin përgjegjës për një sërë krimesh të kryera në Srebrenicë, përfshirë vrasje, shfarosje, përndjekje dhe transferim të detyruar të popullsisë.
Rrethimi i Sarajevës dhe krimet ndaj civilëve
Mlladiç u dënua gjithashtu për rolin e tij në fushatën e krimeve të kryera në zona të ndryshme të Bosnjës, përfshirë rrethimin e Sarajevës, gjatë të cilit civilët u vunë nën bombardime dhe sulme me snajperë.
Aktakuza ndaj tij përfshinte akuza për dy pika gjenocidi, pesë pika krimesh kundër njerëzimit dhe katër pika për shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës.
Gjykata e shpalli fajtor për përndjekje, vrasje, shfarosje, deportim dhe akte të tjera çnjerëzore, si pjesë e një fushate të gjerë kriminale të forcave serbe të Bosnjës.
Mlladiç u arrestua në Serbi më 26 maj 2011, pas më shumë se 15 vitesh në arrati, dhe u transferua në Hagë disa ditë më vonë për t’u përballur me drejtësinë ndërkombëtare.
Vdekja e tij mbyll jetën e një prej figurave më famëkeqe të luftërave në ish-Jugosllavi, por krimet për të cilat ai u dënua mbeten ndër kapitujt më të rëndë të historisë së Evropës pas Luftës së Dytë Botërore.

