Një përleshje mes disa turistëve të rinj ka ndodhur të enjten në mbrëmje në qytetin e Mykonosit, duke shkaktuar momente tensioni dhe kaosi në një nga rrugët kryesore të ishullit.
Ngjarja ka ndodhur pranë stacionit të autobusit, ku disa të rinj janë përfshirë në një sherr fizik, duke shkëmbyer grushte në mes të rrugës.
Pamjet e filmuara nga një kalimtar tregojnë momentet e përleshjes. Në video, njëri prej personave shihet teksa rrëzohet në tokë, por pak më vonë ngrihet dhe rikthehet në konflikt.
Përleshja ka shkaktuar edhe bllokim të përkohshëm të qarkullimit. Automjetet dhe motoçikletat nuk kanë mundur të kalojnë në segmentin e rrugës ku po zhvillohej sherri.
Deri tani nuk dihet se çfarë ka shkaktuar konfliktin. Sipas informacioneve paraprake, po shqyrtohet mundësia që personat e përfshirë të kenë konsumuar alkool.
Rrethanat e plota të incidentit dhe shkaku i përleshjes mbeten ende të paqarta.

