
Një kafe në Damask është kthyer në simbol të një kapitulli të ri për Sirinë. Presidenti Ahmed al-Sharaa ka paguar një kafe duke përdorur një kartë Visa, në një veprim që synon të tregojë rikthimin gradual të vendit në sistemin financiar ndërkombëtar.
Al-Sharaa ishte i shoqëruar nga guvernatori i Bankës Qendrore të Sirisë, Mohammed Safwat Raslan, kur kreu pagesën në një kafene në qytetin e vjetër të Damaskut.
Pamjet e momentit u publikuan në rrjetet sociale, ndërsa në përshkrimin e tyre thuhej se për më shumë se 15 vjet një transaksion i tillë kishte qenë i pamundur në Siri për shkak të izolimit financiar dhe sanksioneve.
Veprimi vjen pas lehtësimit të sanksioneve ndaj Sirisë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
SHBA-ja ka hequr Sirinë nga lista e shteteve sponsorizuese të terrorizmit, ku vendi ishte përfshirë që prej vitit 1979. Ky vendim i hap rrugë bankave amerikane të ofrojnë shërbime për klientët sirianë, të përpunojnë pagesa me bankat e Sirisë dhe të krijojnë marrëdhënie të drejtpërdrejta bankare../Versus.al

