BOTA /

VIDEO/ Mrekulli nën rrënojat e Nepalit, nxirret e gjallë 97-vjeçarja

Guna Maya Bokhara, e cila vuante nga demenca e avancuar, ndodhej në një azil shtetëror për të moshuar në zonën e Rasuvës, kur ndërtesa u përfshi nga masive uji dhe balte.

Shkruar nga Versus

VIDEO/ Mrekulli nën rrënojat e Nepalit, nxirret e gjallë

Një 97-vjeçare është nxjerrë e gjallë nga balta dhe rrënojat pas përmbytjeve shkatërruese që kanë goditur Nepalin. Historia e saj është cilësuar si një “mrekulli” mes bilancit tragjik të katastrofës natyrore.

Guna Maya Bokhara, e cila vuante nga demenca e avancuar, ndodhej në një azil shtetëror për të moshuar në zonën e Rasuvës, kur ndërtesa u përfshi nga masive uji dhe balte.

Sipas raportimeve, 97-vjeçarja është e vetmja e mbijetuar nga azili. Ekipet e ushtrisë nepaleze dhe të shpëtimit punuan për rreth katër orë për ta nxjerrë nga rrënojat, duke përdorur një ekskavator për të larguar me kujdes tonelata balte dhe mbetjesh.

Pas shpëtimit, e moshuara u transportua në një spital në Katmandu, ku po merr trajtim mjekësor.

Pamjet e momentit kur 97-vjeçarja nxirret nga balta dhe transportohet në kovën e ekskavatorit kanë bërë xhiron e botës. Imazhet janë kthyer në një simbol shprese përballë tragjedisë së shkaktuar nga përmbytjet.

Stërnipi i saj, i cili udhëtoi për t’u bashkuar me përpjekjet e shpëtimit, tha për BBC se momenti kur e pa të dilte nga rrënojat i kujtoi një “luftëtare” që kthehej fitimtare nga beteja.

Ndërkohë, operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë në zonat e prekura, ndërsa autoritetet po përpiqen të lokalizojnë rreth 2,500 persona të raportuar të zhdukur.

Bilanci i përkohshëm i viktimave nga përmbytjet ka shkuar në 633 persona, 626 prej tyre në Nepal dhe 7 në Kinë. Ekipet e shpëtimit vijojnë punën për gjetjen e të mbijetuarve dhe personave të zhdukur, ndërsa kushtet në zonat e prekura mbeten të vështira./Versus.al

 

 

Poll