BOTA /

VIDEO/ Qindra të vrarë, më shumë se 1,000 të zhdukur në Nepal dhe Kinë pas përmbytjeve në kufirin Nepal-Tibet

Sipas mediave lokale, të paktën 359 persona kanë humbur jetën, ndërsa mbi 1,000 të tjerë rezultojnë të zhdukur në Nepal dhe Kinën fqinje.

Shkruar nga Versus

VIDEO/ Qindra të vrarë, më shumë se 1,000 të zhdukur

Vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit në Nepal pas përmbytjeve katastrofike që kanë përfshirë zonat malore të vendit dhe Tibetin fqinj. Bilanci i viktimave është rënduar ndjeshëm, ndërsa qindra persona vijojnë të rezultojnë të zhdukur.

Sipas mediave lokale, të paktën 359 persona kanë humbur jetën, ndërsa mbi 1,000 të tjerë rezultojnë të zhdukur në Nepal dhe Kinën fqinje.

Fatkeqësia ndodhi pasi një masiv akulli, balte dhe shkëmbinjsh u shemb në një lumë malor, duke shkaktuar një përmbytje të menjëhershme me forcë të madhe shkatërruese.

Ekipet e shpëtimit kanë përdorur helikopterë për të kërkuar të mbijetuarit dhe për të dërguar furnizime emergjente tek mijëra persona të bllokuar në qytete dhe lugina.

Një prej zonave më të prekura ndodhet pranë lumit Trishuli, përgjatë rrugës që lidh Katmandunë me Lhasën në Tibet, një itinerar i frekuentuar nga alpinistë dhe pelegrinë.

Ministri i Brendshëm i Nepalit, Sudhan Gurung, ka deklaruar se prioriteti i autoriteteve mbetet gjetja e të mbijetuarve. Deri tani janë gjetur rreth 100 shtetas indianë që rezultonin të zhdukur, kryesisht pelegrinë, si dhe 25 punëtorë kinezë.

Mbi 650 shtetas të huaj rezultojnë ende të zhdukur, ndërsa autoritetet nuk kanë përcaktuar ende numrin e personave vendas që mungojnë.

Kryqi i Kuq ka raportuar se fshatra të tëra janë shkatërruar dhe se dëmtimi i rrugëve dhe urave ka izoluar komunitete të shumta.

Ndërsa kërkimet vijojnë, autoritetet paralajmërojnë se përmasat e plota të katastrofës ende nuk janë përcaktuar./Versus.al

Poll