
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Greqinë, ku një helikopter privat është rrëzuar pranë heliportit të Sifnos, në zonën e Tholos, duke shkaktuar vdekjen e gjashtë personave.
Sipas raportimeve të mediave greke, në bord ndodheshin piloti dhe pesë pasagjerë. Të gjashtë humbën jetën si pasojë e rrëzimit.
Pas përplasjes me tokën, helikopteri është përfshirë nga flakët, duke shkaktuar një zjarr të fuqishëm pranë zonës së banuar.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë ekipet e shpëtimit dhe forcat zjarrfikëse, të cilat ndërhynë për të vënë nën kontroll flakët dhe për të kryer operacionin e kërkim-shpëtimit.
Sipas të dhënave paraprake, helikopteri ishte nisur nga Markopoulo dhe u rrëzua gjatë manovrës së uljes në ishull. Mjeti fluturues ra pranë banesave, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit./Versus.al

