BOTA /

Vrasja e reperit të njohur, pas 30 vitesh shpallet fajtor organizatori i atentatit ndaj Tupac

Në momentin kur u lexua vendimi, Davis qëndroi i heshtur dhe pa shfaqur emocione

Shkruar nga Versus

Vrasja e reperit të njohur, pas 30 vitesh shpallet fajtor organizatori i

Pas afro 30 vitesh mister dhe hetime, drejtësia në Las Vegas ka dhënë një verdikt për vrasjen e reperit të famshëm Tupac Shakur. Duane “Keffe D” Davis, 63 vjeç, është shpallur fajtor për organizimin e atentatit që i mori jetën artistit në vitin 1996.

Davis u gjet fajtor për akuzën e vrasjes me përdorimin e një arme vdekjeprurëse, në lidhje me sulmin me makinë në lëvizje të 7 shtatorit 1996. Tupac u qëllua teksa udhëtonte me një automjet në Las Vegas dhe ndërroi jetë disa ditë më vonë, në moshën 25-vjeçare.

Në momentin kur u lexua vendimi, Davis qëndroi i heshtur dhe pa shfaqur emocione. Pas shpalljes fajtor, ai deklaroi se do ta apelojë vendimin.

Në sallën e gjyqit, familjarët e Tupac u kapën për dore, ndërsa disa prej tyre u përqafuan dhe shpërthyen në lot pas leximit të verdiktit.

Prokuroria argumentoi se Davis nuk ishte personi që qëlloi drejtpërdrejt reperin, por se ai kishte organizuar sulmin dhe kishte siguruar armën e përdorur në atentat.

Sipas akuzës, armën e përdori nipi i Davis, Orlando Anderson, i cili dyshohet se hapi zjarr ndaj automjetit ku ndodhej Tupac. Prokurorët e paraqitën vrasjen si një akt hakmarrjeje.

Vetëm disa orë para atentatit, Anderson ishte përfshirë në një përleshje me Tupac Shakur dhe pjesëtarë të grupit të tij në Las Vegas. Sipas prokurorisë, kjo përplasje shërbeu si motiv për planifikimin e sulmit.

Tupac Shakur mbetet një nga ikonat më të mëdha të hip-hopit. I vrarë në kulmin e karrierës, ai ka shitur më shumë se 75 milionë albume në mbarë botën dhe vazhdon të konsiderohet një nga artistët më me ndikim në historinë e muzikës rap./Versus.al

Poll