
Denoncimet e qytetarëve për diferencat mes çmimeve të afishuara në raft dhe atyre që paguhen në kasë kanë vënë në lëvizje Administratën Tatimore.
Tatimet kanë intensifikuar kontrollet në terren, pas raportimeve se në disa supermarkete konsumatorët po përballen me çmime të ndryshme nga ato të shfaqura në raftet e dyqaneve.
Sipas Administratës Tatimore, një nga denoncimet e fundit të ardhura përmes kanaleve të komunikimit ka ngritur pikërisht pretendimin se çmimi i një produkti në momentin e pagesës ishte më i lartë ose i ndryshëm nga çmimi i afishuar në raft.
Pas këtij raportimi, strukturat përgjegjëse kanë nisur verifikimet në terren për të kontrolluar subjektet dhe për të evidentuar nëse ka shkelje apo praktika që cenojnë transparencën ndaj konsumatorëve.
Në fokus të kontrolleve është përputhja e çmimeve të deklaruara dhe të afishuara me ato që aplikohen në arkë gjatë pagesës.
Administrata Tatimore u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë rastet e tilla përmes kanaleve zyrtare të komunikimit, me qëllim që parregullsitë të verifikohen dhe të merren masat përkatëse./Versus.al

