Çfarë do të gjeni në brendësi
"Ata nuk e pranuan largimin tim dhe më goditën me grushta e tavëll kokës", kamarieri dëshmon në gjyq për dhunën nga djemtë e pronarit të hotelit

Detaje të reja dalin nga dëshmia e 18-vjeçarit Genti Nela, i cili ka rrëfyer para hetuesve për përplasjen e dhunshme të ndodhur në hotelin “FLAR”, në zonën e Malit të Robit.
Nela ka deklaruar se kishte nisur punë si banakier në hotel më 10 korrik dhe se për punësimin kishte biseduar me Florian dhe Arbër Habilajn.
Sipas dëshmisë së tij, më 27 gusht ai ka kërkuar pagën, pasi kishte vendosur të largohej nga puna për të nisur një punë tjetër. Por, sipas 18-vjeçarit, largimi i tij nuk është pranuar nga personat që ndodheshin aty.
Nela tregon se në ambientet e hotelit ndodheshin Florian dhe Arbër Habilaj, Enold Dragoti dhe Mariglen Mosha.
“Ata nuk e kanë pranuar largimin tim nga puna dhe fillimisht më kanë sharë. Floriani më ka goditur i pari me grusht, ndërsa Arbëri më ka goditur me një tavëll qelqi në kokë dhe në fytyrë. Jam goditur edhe nga Enold Dragoti, ndërsa Mariglen Mosha më ka mbajtur dhe më ka penguar të largohesha”, ka deklaruar ai.
18-vjeçari pretendon se katër personat i kanë bllokuar rrugën dhe kanë vijuar ta godasin, ndërsa gjatë konfliktit e kanë kërcënuar vazhdimisht me vrasje.
“Gjatë kohës që më godisnin, më kanë kërcënuar vazhdimisht se do të më vrisnin”, ka rrëfyer Nela.
Sipas tij, duke u ndjerë i rrezikuar, ka reaguar për t’u mbrojtur.
“Duke u ndjerë në rrezik dhe për t’u mbrojtur, kam marrë një gotë qelqi dhe kam goditur Florianin në kokë. Kam goditur edhe me grushte, me qëllim që të largohesha prej tyre”, ka thënë 18-vjeçari.
Pas përplasjes, Nela deklaron se ka mundur të largohet me vrap, por sipas tij, katër personat e kanë ndjekur dhe i kanë bllokuar sërish rrugën.
“Pas kësaj kam arritur të largohem me vrap, por jam ndjekur nga të katër personat, të cilët më kanë bllokuar përsëri rrugën dhe më kanë goditur sërish”, ka deklaruar ai.
Dëshmia e 18-vjeçarit është pjesë e materialeve të hetimit për ngjarjen, ndërsa rrethanat e plota dhe përgjegjësitë e personave të përfshirë pritet të përcaktohen nga organet e drejtësisë./Versus.al
Ia dhunuan nipin djemtë e pronarit, xhaxhai i 18-vjeçarit që u kap i armatosur pranë hotelit: Armën do ta hidhja në përrua

47-vjeçari Melison Nela, i arrestuar në Kavajë me një armë automatike “AK-47” dhe 84 fishekë në automjet, ka mohuar para policisë dhe gjykatës se kishte planifikuar të vriste Florin Habilajn, Arbër Habilajn dhe Enolt Dragotin.
Nela është ndaluar më 28 gusht, teksa udhëtonte me automjetin e tij tip “Golf 4”. Sipas dëshmisë së tij, ai ishte nisur drejt përroit të Leshniqës me qëllim që të hidhte armën dhe tre karikatorët, pasi e kishte mbajtur në banesë që prej vitit 1997.
47-vjeçari ka deklaruar se jeton i vetëm dhe se kishte frikë që arma të merrej nga ndonjë person tjetër nëse do të hynte në banesën e tij.
I pyetur se përse nuk e kishte dorëzuar armën në polici, Nela ka thënë se nuk e njihte mirë ligjin dhe kishte frikë nga pasojat.
“Duke mos u njohur mirë ligjin, pata frikë për pasojat që mund të kisha dhe pa e menduar, u nisa për ta dërguar në përrua”, ka deklaruar ai.
Policia dyshon se arma mund të lidhej me një konflikt të ndodhur një ditë më parë, ku ishte përfshirë nipi i Nelës, Gentian Nela, me Florin Habilajn, Arbër Habilajn dhe Enolt Dragotin.
Por 47-vjeçari e ka mohuar kategorikisht se kishte qëllim të përdorte armën ndaj tyre. Sipas tij, pikërisht për shkak të konfliktit të nipit, ai kishte bërë kallëzim në polici një ditë para arrestimit.
“Absolutisht që jo. Nëse do të kisha qëllime të tilla do ta përdorja ditën e djeshme dhe jo të vija të bëja kallëzim në polici”, ka deklaruar Nela.
Pavarësisht dëshmisë së tij, gjykata ka vendosur ndaj 47-vjeçarit masën e sigurisë “Arrest në burg”. Ai akuzohet për “Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve”.
Në përfundim të dëshmisë, Nela është shprehur i penduar për faktin që e kishte marrë armën nga banesa, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes./Syri.net
VIDEO/ Pamje të rënda, 2 djemtë e pronarit dhe shoku i tyre grushta e shkelma ndaj 18-vjeçarit kamarier në Golem pse kërkoi pagën

Publikohen pamjet e dhunës në grup ndaj një 18-vjeçari kamarier në Golem nga 2 djemtë e pronarit të një lokali të ndihmuar dhe nga shoku i tyre.
Sic shihet nga pamjet, 3 persona ushtrojnë dhunë ndaj 18-vjeçarit ndërsa shihet se i pranishëm ka qenë dhe pronari.
Për ngjarjen janë arrestuar Florian Habilaj, 28 vjeç, dhe Enold Dragoti, 20 vjeç, ndërsa Arbër Habilaj, 36 vjeç, është shpallur në kërkim.
Pas dhunimit, 18-vjeçari u dërgua në Spitalin e Kavajës për të marrë ndihmë mjekësore. Pas ngjarjes xhaxhai i të riut, Melison Nela u nis drejt hotelit i armatosur, me qëllim hakmarrjen. Por Policia e ndaloi pranë hotelit dhe gjatë kontrollit në automjet i gjeti në një çantë një kallashnikov, 3 karikatorë dhe 84 fishekë luftarakë
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se pas konfliktit dyshohet se është ndërhyrë në vendngjarje për të fshirë gjurmët.
Sipas Policisë, ambientet ishin pastruar, ndërsa sistemi i kamerave të sigurisë ishte dëmtuar. DVR-ja ishte hequr dhe kabllot e kamerave ishin prerë./Versus.al
View this post on Instagram

