Çfarë do të gjeni në brendësi
*Protesta e 94-të para Kryeministrisë u shoqërua me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë. *Protestuesit u zhvendosën pas godinës së Kryeministrisë, duke tentuar të bllokojnë hyrjen kryesore të saj. * Disa protestues janë shoqëruar në komisariat, ndërsa më pas protestuesit u ulën në rrugë dhe refuzuan të largoheshin. * Në vendngjarje u afrua edhe autoboti i ujit i Policisë, ndërsa situata vijoi të mbetet e tensionuar.
VIDEO/ "Kam mamin sëmurë", momenti kur arrestohet Arvina Lleshi. Aktivistja: Më morën telefonin!

Protesta e sotme e 94-të qytetare kundër qeverisë është shënuar me tensione mes policisë dhe protestuesve.
Disa vajza u shoqëruan nga policia pasi u ulën përtokë në shenjë rezistence duke mos iu përgjigjur urdhrit të policisë.
Arvina Lleshi, një prej tyre shihet në video teksa merret nga efektivet e policisë. Vajza thotë se nuk i kanë dhënë asnjë arsye pse po shoqërohet, madje i kanë marrë dhe telefonin.
Arvina ka mamanë e sëmurë ndërsa po mbahet në ambientet e komisariatit nr,1 bashkë me 10 protestues të tjerë./Versus.al
View this post on Instagram
VIDEO/ Protestuesit nisen drejt komisariatit ku mbahen të shoqëruarit nga policia, momenti kur Rama largohet nga zyra

Protestuesit kanë lënë bulevardin dhe i janë drejtuar komisariatit nr.3 ku ndodhen 10 protestues të shoqëruar gjatë protestës së sotme para Kryeministrisë.
Për më shumë se 90 minuta, qytetarët bllokuan hyrjet e Kryeministrisë duke i bërë thirrje kryeministrit të dilte në boulevard.
Ata u ulën përtokë poshtë zyrës së tij duke hedhur parulla kundër qeverisë. Megjithëse policia tentoi të cajë kordonin e vendosur nga protestuesit nuk ja doli. Por disa prej protestuesve kryesisht vajza u shoqëruan për rezistencën që shfaqën duke mos lejuar policinë të shpërndante protestuesit.
Me largimin e protestuesve nga bulevardi, ka dalë nga zyra dhe kryeministri Edi Rama. Siç shihet nga pamjet, kordoni i makinave që e shoqërojnë ka lëvizur në boulevard menjëherë pasi protestuesit janë larguar.
View this post on Instagram
VIDEO/ U ul përtokë para hyrjes së Kryeministrisë, arrestohet një nga protestueset e veshur me plis dhe flamur kuq e zi

Tensionohet situata mbrëmjen e sotme pranë Kryeministrisë, teksa vijon protesta dhe policia ka shoqëruar disa vajza protestuese.
Policia ka arrestuar mbrëmjen e sotme disa protestues, mes të cilave dhe disa vajza organizatore të protestës.
Mësohet se arsyeja e shoqërimit të tyre ka qenë kordoni që kanë vendosur në hyrje të godinës së qeverisë dhe bllokimi që i bënë policisë për të mos lejuar carjen e kordonit
Në momentin e shoqërimit, një nga vajzat që mbante në kokë një plis dhe në duar flamurin kuqezi, ka deklaruar: “Më morën se u ula në tokën shqiptare!”.
Pamjet e shoqërimit kanë tërhequr vëmendjen e protestuesve të tjerë, të cilët kanë kërkuar lirimin e saj dhe të personave të tjerë të shoqëruar gjatë protestës.
Protestuesit i kanë cilësuar vajzat dhe djemtë e ndaluar si protestues paqësorë, duke kërkuar drejtësi, largimin e asaj që ata e konsiderojnë si kastë të korruptuar dhe ndryshimin e situatës politike e sociale në vend.
Protesta vijon pranë Kryeministrisë, ndërsa protestuesit janë në pritje të daljes së Ramës nga zyra./Versus.al
View this post on Instagram
Përplasje me policinë, shoqërohen tre protestues, njëri raportohet i lënduar
Protesta qytetare, e cila sot shënon ditën e 94-të pa ndërprerje, është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë.
Gjatë protestës, policia ka shoqëruar tre persona: Dritan Goxhaj, Arvina Lleshi dhe Kujtim Gjini.
Sipas raportimeve, Kujtim Gjini mësohet se ka marrë një dëmtim në dorë.
Protesta vijon, ndërsa situata pranë Kryeministrisë mbetet e tensionuar./Versus.al
View this post on Instagram
VIDEO/ Protestuesit nuk lëvizin nga Kryeministria, bllokojnë hyrjen e godinës ku pritet të dalë kryeministri

Vijon qëndresa e qytetarëve të cilët prej një ore po protestojnë para Kryeministrisë.
Ata kanë bllokuar hyrjen e godinës nga pritet të dalë kryeministri Edi Rama dhe vijojnë të thërrasin “Rama n’burg”, “Berisha n’burg”.
Pas tensioneve të para mes policisë dhe qytetarëve të cilët u ulën në shesh, si simbolikë se ato do të vijojnë qëndrën e tyre kundër qeverisë.
Disa prej protestuesve mësohet se janë shoqëruar nga policia dhe konkretisht ata që nuk lejuan që policia të cajë kordonin e qytetarëve që bllokuan hyrjen e godinës së qeverisë.
Nga ana e policisë, para Kryeministrisë janë shtuar forca të shumta, dhe ato speciale si dhe vërehet prania e autoboteve me ujë.
Gjithcka nisi pasi protestuesit në ditën e 94-të të tyre, mësuan se Rama ndodhet në zyrë.
Skenari i protestës së sotme, shënon nisjen e një sezoni të ri qëndrese e cila duket se nuk do të jetë dhe aq paqësore./Versus.al
VIDEO/ Rriten tensionet mes protestuesve dhe policisë para Kryeministrisë, nisin shoqërimet e para

Rriten tensionet mes protestuesve dhe policisë, mbrëmjen e sotme teksa protesta qytetare shënon ditën e 94-të.
Shkak është bërë përplasja e protestuesve me gardhin policor të vendosur përpara godinës. Policia e Shtetit ka nisur shoqërimet e para.
Ndërkohë pranë protestuesve janë afruar automjetet me ujë e gazlotsjellës.
Protestuesit kanë bllokuar të dyja hyrjet e Kryeministrisë dhe kanë kërkuar që kryeministri Edi Rama të dalë përballë tyre.
View this post on Instagram
VIDEO/ Tensione në protestë, makina që hedh ujë me presion vendoset përballë protestuesve

Tensionet janë rritur gjatë protestës së zhvilluar mbrëmjen e sotme në Tiranë.
Policia ka ndërhyrë për të larguar protestuesit nga trari pas Kryeministrisë, ndërsa ata janë ulur në rrugë duke vijuar qëndrimin e tyre në shenjë proteste.
Situata është tensionuar më tej pasi në zonë është shfaqur edhe autoboti i ujit, i cili përdoret nga policia në raste të përshkallëzimit të protestave.
Protestuesit kishin paralajmëruar edhe më herët se do të përshkallëzonin aksionin e tyre gjatë ditëve në vijim, duke kërkuar vijimin e presionit ndaj qeverisë.
Ndërkohë, forcat e policisë vijojnë të mbajnë kordonin e sigurisë në zonën pranë Kryeministrisë, ndërsa situata mbetet e tensionuar./Versus.al
View this post on Instagram
Përshkallëzohet protesta/ Protestuesit tentojnë të çajnë kordonin e policisë para Kryeministrisë

Protesta e 94-të radhazi kundër qeverisë është shoqëruar këtë të martë me tensione përpara godinës së Kryeministrisë në Tiranë.
Protestuesit kanë tentuar të çajnë kordonin e forcave të Policisë së Shtetit dhe të hyjnë në ambientet e Kryeministrisë, por janë ndalur nga efektivët e vendosur në mbrojtje të godinës.
Policia ka forcuar kordonin e sigurisë, duke krijuar një barrierë përpara Kryeministrisë dhe duke penguar protestuesit të afrohen më tej. Situata vijon të jetë e tensionuar, ndërsa qytetarët kërkojnë të futen në ambientet e godinës.
Protesta e sotme shënon ditën e 94-të të aksionit qytetar, i cili ka nisur prej më shumë se tre muajsh. Kërkesa kryesore e protestuesve është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, ndërsa kërkohet gjithashtu ndryshimi i klasës politike dhe krijimi i një qeverie tranzitore me mandat 12-mujor.
Organizatorët kanë paralajmëruar se protestat do të përshkallëzohen edhe gjatë muajve shtator dhe tetor, me synimin për të zgjeruar mobilizimin qytetar./Versus.al

