Çfarë do të gjeni në brendësi
Veliaj e shkarkoi nga burgu, Blendi Sulaj falënderon Ramën dhe del në mbështetje të Ogerta Manastirliut për Bashkinë Tiranë
Pak orë pasi u largua nga posti i nënkryetarit të Bashkisë Tiranë, Blendi Sulaj ka reaguar publikisht përmes një postimi në rrjetet sociale.
Në mesazhin e tij, Sulaj ka vlerësuar punën e stafit të Bashkisë Tiranë, duke falënderuar drejtuesit dhe punonjësit për angazhimin e tyre në shërbim të qytetarëve.
Ai ka veçuar gjithashtu kryeministrin Edi Rama, të cilin e falënderoi për besimin dhe mbështetjen gjatë periudhës që ishte pjesë e drejtimit të bashkisë.
Sulaj përmendi ndërhyrjet për lirimin e hapësirave publike dhe shembjen e ndërtimeve pa leje si pjesë të punës së tij në këtë detyrë.
Por reagimi i Sulajt nuk u ndal te largimi nga posti.
Ai bëri të qartë se do të vijojë angazhimin e tij politik, duke deklaruar mbështetjen për Partinë Socialiste dhe kandidaturën e Ogerta Manastirliut për Bashkinë e Tiranës.
Sulaj shprehet se është gati të angazhohet në fushatën elektorale dhe të vijojë kontributin e tij për kryeqytetin.
Postimi i plotë:
Te nderuar miq
Prej nje viti kam mbajtur postin e n/kr per kontrollin e territorit ne bashkine e Tiranes . Dua te ndaj me ju vleresimin maksimal per N/kryetaret drejtoret e drejtorive ,shefat e sektorit dhe cdo punonjes te thjeshte te bashkise se Tiranes. Jane njerez qe punojne me shpirt cdo dite per ti sherbyer qytetareve dhe shpesh jo ne kushte normale pune.
Dua te falenderoj kryeministrin Rama per besimin dhe mbeshtetjen qe me dha gjate kesaj kohe ku udhehoqem lirimin e hapesirave publike dhe prishjen e ndertimeve pa leje.
Me padurim dhe plote me energji do te perkushtohem ne sfiden elektorale ne mbeshtetje te PS dhe kandidates Ogerta Manastirliu.
Tirana e bukura e shqiptareve per te cilen do punojme te gjithe.
Faleminderit!/Versus.al
Valë shkarkimesh në bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj firmos nga burgu dhe largimin e nënkryetarit Blendi Sulaj

Nga qelia ku ndodhet prej shkurtit 2025, Erion Veliaj me rikthimin në krye të bashkisë së Tiranës, ka shkarkuar nga detyra nënkryetarin e Bashkisë, Blendi Sulaj.
Vendimi është bërë i ditur nga Bashkia e Tiranës, ndërsa arsyet e largimit të Sulajt nga detyra nuk janë bërë publike.
Blendi Sulaj, i cili më herët ka qenë pjesë e Partisë Demokratike, u përfshi në listat e Partisë Socialiste për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
Në korrik të vitit 2025, pas largimit të disa nënkryetarëve të Bashkisë së Tiranës, Sulaj u emërua në këtë post, duke marrë përgjegjësinë për menaxhimin e territorit dhe zhvillimin rural, të shpallura si fusha prioritare.
Shkarkimi i tij vjen një ditë pas largimit nga detyra të nënkryetares Anuela Ristani. Ajo humbi delegimin për drejtimin e Bashkisë së Tiranës, në një kohë kur kryebashkiaku Erion Veliaj ndodhet në paraburgim.
Largimet e njëpasnjëshme nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës vijnë në një periudhë të zhvillimeve të forta institucionale dhe politike rreth administrimit të bashkisë.

