Bora Zemani nuk do të jetë pjesë e ekranit të Top Channel në sezonin e ri televiziv. Pas disa vitesh në krye të disa prej formateve më të rëndësishme të argëtimit, bashkëpunimi mes moderatores dhe televizionit raportohet se ka përfunduar.
Zemani u bë një prej figurave më të spikatura të Top Channel pas drejtimit të “Për’puthen” në vitin 2020. Formati pati një sukses të madh në audiencë dhe në platformat digjitale, duke e konsoliduar moderatoren në ekran.
Në vitin 2022, ajo mori drejtimin e “Dancing With The Stars”, ku vijoi si moderatore edhe në sezonin pasues. Më vonë, Zemani u shfaq në prime time me formatin “Piramida”.
Në vitin 2025, ajo iu bashkua edhe programit humanitar “Për Shqiptarët”, të cilin e drejtoi së bashku me Elvis Naçin. Zemani vijoi të ishte pjesë e këtij programi edhe në sezonin pasues.
Mbyllja e bashkëpunimit me Top Channel i hap rrugë një kapitulli të ri për moderatoren. Ende nuk dihet nëse Bora Zemani do të vijojë aktivitetin në televizion nën një tjetër logo apo do t’i përkushtohet më shumë sipërmarrjes dhe brandit të saj “Zeman”.
Për momentin, largimi i saj shënon fundin e një periudhe të gjatë në ekranin e Top Channel, ku ajo drejtoi disa prej formateve më të ndjekura të viteve të fundit./Versus.al

