
Legjenda e futbollit, Cristiano Ronaldo ka lënë të kuptohet se ky mund të jetë viti i tij i fundit si futbollist profesionist, duke iu afruar kështu fundit të një prej karrierave më të suksesshme në historinë e futbollit.
Në një intervistë për revistën “Vogue”, 41-vjeçari deklaroi se tashmë ka menduar edhe për jetën pas futbollit.
“Ky është ndoshta viti im i fundit në futboll dhe dua të lë një trashëgimi spektakolare”, tha Ronaldo, duke shtuar se e ardhmja e tij pas tërheqjes është e planifikuar.
Ronaldo tha se ka shumë aktivitete me të cilat synon të merret, duke përmendur udhëtimet dhe padelin mes gjërave që i pëlqejnë më shumë. Sipas tij, përfundimi i karrierës në futboll mund të krijojë një boshllëk të madh, ndaj koha duhet të mbushet me aktivitete të ndryshme.
“Dua të vazhdoj të shijoj atë që kam fituar, atë që kemi fituar. Në fund të fundit, kanë qenë 25 vite me shumë sakrifica”, u shpreh portugezi.
Cristiano Ronaldo konsiderohet një nga futbollistët më të mirë të historisë. Ai ka fituar pesë herë “Topin e Artë” dhe pesë herë Ligën e Kampionëve, ndërsa është shpallur kampion në Angli, Spanjë, Itali dhe Arabinë Saudite. Versus.al

