Cristiano Ronaldo dhe Georgina Rodríguez janë martuar në një ceremoni tepër private, e zhvilluar në vilën luksoze të futbollistit në Quinta da Marinha, në Portugali.
Sipas raportimit, në ceremoni ishin të pranishëm vetëm katër të ftuar, përveç fëmijëve të çiftit.
Dëshmitarët ishin Ivana Rodríguez, motra e Georginës, miku shumëvjeçar i Ronaldos, Miguel Paixão, si dhe çifti spanjoll José Rodríguez Sangil dhe Mónica González Martínez.
Martesa u zhvillua saktësisht një vit pasi çifti kishte bërë të ditur fejesën.
Një nga detajet më të përfolura është marrëveshja paramartesore e nënshkruar nga Ronaldo dhe Georgina.
Sipas artikullit, çifti ka vendosur të mbajë të ndara pasuritë që secili prej tyre kishte përpara martesës.
Megjithatë, sipas raportimeve, marrëveshja parashikon që Georgina të marrë rreth 100 mijë euro në muaj në rast ndarjeje, me synimin për të garantuar sigurinë e saj dhe të fëmijëve.
Një tjetër detaj që ka tërhequr vëmendjen është pasuria e paluajtshme.
Pretendohet se një rezidencë luksoze në zonën prestigjioze La Finca të Madridit, me vlerë rreth 5 milionë paund, është regjistruar në emër të Georginës.
Ndërkohë, pasuria e Ronaldos vlerësohet në rreth 1.2 miliardë euro, duke e bërë marrëveshjen financiare të çiftit një nga detajet më të komentuara të martesës së tyre.
Dokumenti për përcaktimin e regjimit pasuror është firmosur në një zyrë noteriale në Lisbonë më 10 gusht, një ditë para ceremonisë martesore.

Sipas një kopjeje të certifikatës së martesës, të siguruar nga gazeta portugeze Jornal de Notícias, ceremonia u zhvillua në rezidencën e Ronaldos në zonën e Quinta da Marinha.
Në dokument figurojnë të dhënat e plota të të dyve. Cristiano Ronaldo, 41 vjeç, dhe Georgina Rodríguez, 32 vjeç, do të vazhdojnë të përdorin mbiemrat që kishin përpara martesës.
Georgina figuron në dokument me emrin e plotë Georgina Louisa Rodríguez Hernández, ndërsa certifikata e martesës është regjistruar me numrin 1.493.
Martesa e çiftit është mbajtur larg vëmendjes së publikut, në përputhje me dëshirën e tyre për ta zhvilluar ceremoninë në një rreth sa më të ngushtë familjar dhe miqësor./Versus.al

