Dea e Butrintit, një nga veprat më të famshme të artit antik shqiptar është rikthyer në Butrint.
Lajmin e ka dhënë kryeministri Rama përmes një video ndërsa shkruan se tashmë kjo vepër kthehet në shtëpinë e saj.
"MIRËMËNGJES
dhe me lajmin e bukur të rikthimit të Deas së Butrintit në shtëpinë e saj, duke pasuruar edhe më shumë thesarin e historisë dhe trashëgimisë sonë kulturore, ju uroj një fundjavë të mbarë", shkruan Rama .
Dea e Butrintit është një kokë mermeri, rreth 50 cm e lartë, e gjetur në Butrint në vitin 1928 gjatë gërmimeve të drejtuara nga arkeologu italian Luigi Maria Ugolini.
Datimi i saj lidhet kryesisht me shekullin IV p.e.s.
Fillimisht Ugolini e quajti “Dea di Butrinto” – Perëndesha e Butrintit, për shkak të tipareve shumë të buta dhe femërore të fytyrës.
Më vonë, studiues të ndryshëm e kanë identifikuar si kokën e Apollonit, perëndisë së dritës, arteve dhe muzikës. Tiparet femërore shpjegohen me mënyrën idealizuese dhe të butë të paraqitjes së Apollonit në artin klasik.
Vepra është lidhur me traditën/skulpturën e shkollës së Praksitelit, megjithëse identifikimi dhe origjina e saktë mbeten tema studimi.
Koka u dërgua në Itali pas zbulimit dhe iu kthye Shqipërisë në vitin 1981/1982 si pjesë e koleksionit të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë./Versus.al

