Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet ndaj Anela Osmanit, duke e marrë të pandehur për akuzën e “Mashtrimit”, pas kallëzimit të bërë nga Kejvina Kthella për një shumë prej 8 mijë eurosh.
Sipas dosjes, Kthella ia kishte dhënë paratë shoqes së saj për t’ia ruajtur, pasi do të largohej për disa ditë nga Tirana. Por kur i kërkoi t’ia kthente, paratë nuk iu dorëzuan. Osmani dyshohet se ka dhënë disa shpjegime për vendndodhjen e shumës, duke pretenduar fillimisht se paratë ishin në kasafortë dhe më pas se i kishte depozituar në bankë, por llogaria ishte e bllokuar.
Pas kallëzimit në polici në maj të këtij viti, ndaj Osmanit u vendos masa “detyrim për paraqitje”. Tashmë hetimet kanë përfunduar dhe çështja është dërguar në gjykatë, ku ajo do të përballet me akuzën për “Mashtrim”, vepër që parashikon deri në 5 vite burgim./Versus.al

