MAGAZINË /

Mira Murati në listën e TIME, shqiptarja mes 100 figurave më me ndikim në Inteligjencën Artificiale

Ajo shfaqet krah emrave të njohur të industrisë, mes tyre Sam Altman, Elon Musk, Jeff Bezos, Larry Ellison, Dario Amodei dhe Ilya Sutskever.

Shkruar nga Versus
Mira Murati në listën e TIME, shqiptarja mes 100 figurave më me
Mira Murati

Mira Murati është përzgjedhur nga revista prestigjioze TIME në listën TIME100 AI 2026, që përfshin 100 personat që po luajnë rol të rëndësishëm në zhvillimin dhe drejtimin e Inteligjencës Artificiale në botë.

Ish drejtoresha e teknologjisë në OpenAI dhe një nga figurat më të njohura me origjinë shqiptare në industrinë e teknologjisë, Murati është gjithashtu pjesë e kopertinës globale të edicionit të këtij viti të TIME100 AI.

Ajo shfaqet krah emrave të njohur të industrisë, mes tyre Sam Altman, Elon Musk, Jeff Bezos, Larry Ellison, Dario Amodei dhe Ilya Sutskever.

TIME e ka ndarë listën në katër kategori: Liderë, Inovatorë, Formësues dhe Mendimtarë. Përzgjedhja nuk përfshin vetëm drejtues të kompanive të mëdha të teknologjisë, por edhe studiues, sipërmarrës, politikëbërës dhe figura nga industria kreative.

Në profilin kushtuar Muratit, TIME vë në pah vizionin e saj për t’u dhënë njerëzve më shumë mundësi zgjedhjeje në mënyrën se si përdoret Inteligjenca Artificiale.

Në vitin 2025, ajo themeloi Thinking Machines Lab, me synimin për të zhvilluar modele të AI-së që mund të personalizohen sipas nevojave dhe të dhënave të përdoruesve.

Murati është shprehur se kompanitë e mëdha të AI-së po orientohen drejt modeleve pronësore, të ofruara si shërbime, ndërsa ajo synon një qasje ku përdoruesit të kenë më shumë kontroll dhe mundësi për ta përshtatur teknologjinë me nevojat e tyre.

Lista e TIME vjen në një moment kur Inteligjenca Artificiale po transformon me shpejtësi ekonominë, teknologjinë dhe jetën e përditshme, ndërsa zhvillimi i saj po shoqërohet edhe me debate të forta mbi ndikimin ekonomik, politik dhe shoqëror.

Përzgjedhja e Muratit në këtë listë përbën një tjetër vlerësim ndërkombëtar për një prej figurave me origjinë shqiptare që ka marrë rol të rëndësishëm në zhvillimin e teknologjive të Inteligjencës Artificiale./Versus.al

Poll