
Nelson Hysa vijon të mbetet i pamposhtur në ring, duke regjistruar fitoren e 25-të në karrierën e tij profesionale. Boksieri shqiptar mposhti norvegjezin Thomas Narmo në vetëm dy raunde, në përballjen e zhvilluar në O2 Arena të Londrës.
Hysa e mbylli duelin pas vetëm 36 sekondash në raundin e dytë, kur goditi Narmon me një të djathtë të fuqishme dhe e rrëzoi në tapet. Norvegjezi arriti të ngrihej, por ishte dukshëm i tronditur dhe e kishte të vështirë të qëndronte në këmbë. Arbitri vendosi të ndërpresë përballjen, duke i dhënë fitoren shqiptarit.
Pas duelit, mjekët hynë në ring për t’i dhënë ndihmën e nevojshme Narmos, i cili më pas u largua nga ring-u në këmbët e tij.
Me këtë triumf, Hysa e çon rekordin në 25 fitore dhe asnjë humbje (25-0) dhe tashmë synon një përballje për titullin e botës.
Por pas ndeshjes nuk munguan as tensionet. Hysa pati një përplasje verbale me boksierin gjerman Agit Kabayel pranë vendeve të spektatorëve. Situata u qetësua pas ndërhyrjes së sigurisë.
Kabayel deklaroi se është i gatshëm të përballet me shqiptarin në Gjermani, ndërsa Hysa e bëri të qartë se e kërkon pikërisht këtë duel.
“Shkova te Kabayel sepse ai vazhdon të më shmangë. Të gjithë po largohen. Jam 25-0 dhe duhet të luftoj për titullin”, deklaroi Hysa.
Boksieri shqiptar u bëri gjithashtu thirrje promotorëve të tij që t’i sigurojnë një kundërshtar të nivelit të lartë, duke shprehur ambicien për t’u përballur me Kabayel dhe kampionët e tjerë të kategorisë së peshave të rënda.
Tashmë, Hysa kërkon hapin më të madh të karrierës: një duel me një prej emrave kryesorë të peshave të rënda dhe mundësinë për të luftuar për titull bote./Versus.al
???????????? NELSON HYSA DOES IT AGAIN!
— Kruja Chronicles (@FilteredZero) August 29, 2026
The Albanian heavyweight #6 in the world by the WBA knocked out Thomas Narmo in just 36 seconds of Round 2, defending his WBO Global title! ????
25-0, 23 KOs. What a fighter! ???????????? pic.twitter.com/Vv5VTEnT1n

