
Proteina është kthyer në një nga elementët më të përfolur të ushqyerjes së shëndetshme, veçanërisht me rritjen e përdorimit të pluhurave, shufrave dhe pijeve proteinike.
Por një rishikim i rreth 300 studimeve sugjeron se më shumë proteina nuk do të thotë domosdoshmërisht shëndet më i mirë apo jetë më e gjatë.
Sipas analizës, një konsum i moderuar i proteinave, që plotëson nevojat bazë të organizmit, mund të lidhet me shëndet më të mirë metabolik dhe plakje më të shëndetshme.
Në disa studime, marrja më e ulët e proteinave është shoqëruar me ulje të peshës dhe yndyrës trupore, kontroll më të mirë të sheqerit në gjak dhe rritje të shpenzimit të energjisë.
Studiuesit theksojnë se rëndësi nuk ka vetëm sasia e proteinave, por edhe përbërja e tyre, pasi disa aminoacide, përfshirë metioninën, izoleucinën dhe valinën, mund të luajnë rol në proceset që lidhen me metabolizmin dhe plakjen.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se proteinat duhet të kufizohen në mënyrë drastike.
Ato janë të rëndësishme për ruajtjen e masës muskulore, veçanërisht te personat që kryejnë aktivitet fizik dhe te të moshuarit, për të parandaluar humbjen e muskujve dhe dobësimin fizik.
Sipas të dhënave të cituara në artikull, EFSA dhe OBSH rekomandojnë rreth 0.83 gram proteinë për kilogram peshë trupore në ditë për popullatën e përgjithshme.
Një konsum deri në rreth dyfishin e kësaj sasie konsiderohet përgjithësisht i sigurt, ndërsa efektet afatgjata të konsumit shumë të lartë mbeten ende objekt studimi.
Ekspertët nënvizojnë se nevojat për proteina ndryshojnë nga një person te tjetri, në varësi të moshës, aktivitetit fizik, gjendjes metabolike dhe mënyrës së përgjithshme të ushqyerjes.
Në fund, mesazhi i studimit është se proteina nuk është as armik dhe as një “zgjidhje magjike” për jetëgjatësinë. Çelësi është një konsum i përshtatur me nevojat e organizmit dhe një dietë e ekuilibruar./Përshtati në shqip Versus.al

