Aktorja e kinematografisë dhe televizionit shqiptar, Rezana Çeliku, është ndarë nga jeta në moshën 66-vjeçare, pasi humbi betejën me sëmundjen.
Lajmi ka prekur komunitetin artistik, ndërsa aktorja Ema Andrea ka ndarë kujtimet e saj për Çelikun, të cilën e përshkruan si një figurë të veçantë dhe frymëzuese.
“Ka qenë gjithmonë një figurë e njohur në Tiranë, si vajza me dritë që ti e kishe si shembull”, kujton Andrea.
Dy aktoret janë njohur në sheshxhirimet e filmit “Një vajzë dhe një djalë”, në vitin 1990. Ema Andrea tregon se profesionalizmi dhe përkushtimi i Rezana Çelikut në rolin e një centralisteje u bënë frymëzim për të.
“Kur Rezi vinte, gjërat lëviznin, merrnin një lloj drite, ishin më të komunikueshme. Në atë kohë e vëzhgoja dhe kam mësuar shumë, kam marrë shembull prej saj”, shprehet ajo.
Roli i Çelikut në këtë film, ku personazhi përfshihej në një lidhje me një djalë më të ri në moshë, ishte për kohën një interpretim i guximshëm dhe shkaktoi diskutime.
Ky do të ishte edhe roli i saj i fundit në kinematografi. Sipas Ema Andreas, paragjykimet që shoqëruan personazhin mund të kenë ndikuar në tërheqjen e saj graduale nga aktrimi, krahas ndryshimeve që pësoi kinemaja shqiptare pas viteve ’90.
“Ndoshta kjo ka ndikuar përse ajo u tërhoq dalëngadalë, por edhe për ndryshimet që pësoi kinemaja pas ’90-s”, tha Andrea.
Pas largimit nga aktrimi dhe nga puna si mësuese në fshatrat e Tiranës, Rezana Çeliku u diplomua në Ekonomi dhe Juridik dhe vijoi karrierën në administratën publike. Për vite me radhë punoi në Drejtorinë për Marrëdhëniet me Publikun në Bashkinë e Tiranës.
“Kur e takoja në institucionet ku ajo punonte, ishte e njëjta Rez, me dritë, me jetë, me dashuri dhe përkushtim. E kam parë Rezin të bëjë akte heroike të heshtura… Këta njerëz që i duhen qytetit dhe artit, nuk di pse i merr Zoti kaq shpejt”, u shpreh Ema Andrea.
Rezana Çeliku do të mbetet në kujtesën e publikut shqiptar për rolin e saj në kinematografi, si dhe për kontributin e saj ndër vite në jetën publike dhe artistike./Versus.al

