
UEFA ka marrë masa disiplinore ndaj Crvena Zvezdës për sjelljen e tifozëve të saj gjatë ndeshjes së Europa League ndaj Viktoria Plzen, të zhvilluar më 20 gusht.
Në stadiumin serb nuk munguan thirrjet antishqiptare dhe kundër Kosovës, ndërsa sjellja e tifozëve ka sjellë një sërë sanksionesh nga qeveria e futbollit evropian.
Në total, Crvena Zvezda është dënuar me 99.500 euro gjobë, ndërsa klubi është vendosur gjithashtu në një periudhë prove prej dy vitesh.
50 mijë euro për koret raciste
Pjesa më e madhe e gjobës lidhet me sjelljen raciste dhe diskriminuese të tifozëve.
UEFA ka vendosur një gjobë prej 50 mijë eurosh për koret raciste të evidentuara gjatë takimit.
Ndërkohë, 20 mijë euro të tjera janë vendosur për bllokimin e kalimeve në stadium, ndërsa 9.500 euro për ndezjen e mjeteve piroteknike.Përveç gjobave financiare, UEFA ka vendosur edhe një sanksion më të rëndë ndaj klubit serb.
Crvena Zvezda është dënuar me 20 mijë euro gjobë dhe mbyllje të pjesshme të stadiumit për ndeshjen e ardhshme si pritëse në një kompeticion evropian, për shkak të sjelljes raciste dhe diskriminuese të tifozëve.
Megjithatë, mbyllja e pjesshme e stadiumit është vendosur me kusht dhe do të zbatohet vetëm nëse klubi përsërit shkelje të ngjashme gjatë periudhës së provës dyvjeçare.
Në rast të një tjetër episodi të tillë, Crvena Zvezda rrezikon të luajë para një numri të kufizuar tifozësh në një ndeshje evropiane.
Vendimi i UEFA-s vjen në kuadër të masave kundër racizmit, diskriminimit dhe sjelljeve të tjera të papranueshme në stadiumet e kompeticioneve evropiane.

