MAGAZINË /

Tragjedi në futbollin portugez, 25-vjeçari humb jetën pasi rrëzohet pa ndjenja në fushë

25-vjeçari u transportua me urgjencë në spital, por pavarësisht përpjekjeve për reanimim, ai nuk mundi të mbijetojë

Shkruar nga Versus

Tragjedi në futbollin portugez, 25-vjeçari humb jetën pasi

Një tragjedi ka tronditur futbollin portugez, pasi 25-vjeçari Quevin Castro ka humbur jetën gjatë një ndeshjeje miqësore.

Futbollisti i Real Sport Clube u ndje keq vetëm 10 minuta pas nisjes së takimit ndaj Estrela da Amadora, të zhvilluar të shtunën në stadiumin “Estádio das Seixas”, në Malveira.

Castro u rrëzua papritur në fushë dhe humbi ndjenjat. Stafet mjekësore të të dyja skuadrave ndërhynë menjëherë, duke përdorur edhe defibrilatorin. Në stadium mbërriti gjithashtu shërbimi portugez i urgjencës mjekësore, INEM.

25-vjeçari u transportua me urgjencë në spital, por pavarësisht përpjekjeve për reanimim, ai nuk mundi të mbijetojë.

Castro ishte pjesë e Real SC, skuadër që luan në kategorinë e katërt të futbollit portugez. Ai iu bashkua klubit këtë sezon, pas një eksperience në Angli me Eastbourne Borough.

Me shtetësi portugeze dhe britanike, futbollisti kishte zhvilluar pjesën më të madhe të formimit dhe karrierës së tij në Angli. Gjatë viteve kishte qenë pjesë e akademive dhe skuadrave si Chelsea, West Bromwich Albion, Burton Albion, Notts County, Gateshead dhe York City.

Pas lajmit tragjik, Estrela da Amadora shprehu ngushëllimet për familjen, miqtë dhe komunitetin e Real SC.

Shkaku i saktë i kolapsit fatal nuk është bërë ende i ditur zyrtarisht. Autoritetet pritet të përcaktojnë rrethanat dhe shkakun mjekësor të vdekjes së 25-vjeçarit./Versus.al

 

 

Poll