
Një video e publikuar nga gazetari Elton Tozaj ka sjellë reagimin e Rizarta Hoxhës, e cila e ka konsideruar shpërndarjen e pamjeve si cenim të jetës së saj private.
Pamjet e publikuara tregojnë Hoxhën në një moment personal me një mashkull, ndërsa Tozaj e ka shoqëruar postimin me një pyetje lidhur me kohën kur është regjistruar videoja.
Pas kësaj, Rizarta Hoxha reagoi në Instagram duke deklaruar se publikimi ka kaluar kufijtë e raportimit.
“Dua të sqaroj publikisht diçka që tashmë ka kaluar kufirin e informacionit dhe ka hyrë në cenimin e jetës private”, shkroi ajo.
Hoxha theksoi se do t’i drejtohet rrugës ligjore, duke iu referuar të drejtës për mbrojtjen e jetës private, personalitetit, reputacionit dhe të dhënave personale.
“Nga ky moment, çështja nuk do të trajtohet më publikisht, por vetëm në rrugë ligjore”, përfundoi ajo.
Nga ana tjetër, Elton Tozaj ka mbrojtur publikimin e videos, duke argumentuar se pamjet janë realizuar në një ambient publik dhe se raportimi, sipas tij, lidhet me interesin publik kur bëhet fjalë për personazhe të njohur.



