POLITIKË /

20 shkolla në Tiranë me kamera inteligjente, Rama: Teknologjia do të forcojë sigurinë e nxënësve

Kamerat inteligjente janë vendosur në të njëjtat pika ku ndodheshin pajisjet e mëparshme, por ndryshe nga sistemet e vjetra, ato mund të sinjalizojnë në kohë reale drejtuesit e shkollave, punonjësit e sigurisë dhe Policinë e Shtetit

Shkruar nga Versus

20 shkolla në Tiranë me kamera inteligjente, Rama: Teknologjia do

20 shkolla në Tiranë janë pajisur me kamera inteligjente, në kuadër të një projekti që synon forcimin e sigurisë në institucionet arsimore në të gjithë vendin.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale, ku thekson se teknologjia e re do të shërbejë për monitorimin dhe reagimin më të shpejtë ndaj situatave të rrezikshme në ambientet e shkollave.

Sipas Ramës, vendimi për modernizimin e sistemeve të kamerave u mor pas një ngjarjeje tragjike të ndodhur në një shkollë të Tiranës, ku sistemet ekzistuese nuk kishin dhënë informacion të mjaftueshëm për të rindërtuar dinamikën e ngjarjes. .

“20 shkollat e para të pajisura me kamera inteligjente janë vetëm pararoja e procesit”, shkruan Rama, duke bërë të ditur se projekti do të vijojë gradualisht në të gjitha shkollat e vendit.

Sipas kryeministrit, teknologjia do të ndihmojë në identifikimin më të shpejtë të situatave problematike dhe do t’u japë mundësi strukturave përgjegjëse të ndërhyjnë në kohë.

“Zotimin e bërë pas asaj tragjedie, do ta bëjmë realitet shkollë pas shkolle, me teknologjinë në shërbim të njeriut dhe me sigurinë e fëmijëve mbi gjithçka”, shprehet Rama.

Poll