POLITIKË /

BE përgatit reformën e madhe të zgjerimit, Marta Kos prezanton planin me katër shtylla për vendet kandidate

Kos paraqiti planet për një integrim gradual, kontrolle më të rrepta ndaj vendeve kandidate dhe një metodologji të re për zgjerimin e Unionit.

Shkruar nga Versus

BE përgatit reformën e madhe të zgjerimit, Marta Kos prezanton

Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka prezantuar të martën elementet kryesore të propozimit të Komisionit Europian për rishikimin e procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian.

Gjatë Konferencës së Ambasadorëve Kroatë në Zagreb, Kos paraqiti planet për një integrim gradual, kontrolle më të rrepta ndaj vendeve kandidate dhe një metodologji të re për zgjerimin e Unionit.

“Bota ka ndryshuar. Dhe zgjerimi duhet të ndryshojë bashkë me të”, deklaroi Komisionerja Europiane për Zgjerimin.

Sipas Kos, BE-ja po përballet me një “moment të ri të Helsinkit”, duke iu referuar takimit të liderëve europianë në kryeqytetin finlandez që i hapi rrugën zgjerimit të madh pas Luftës së Ftohtë.

Ajo veçoi përparimin e shpejtë të Malit të Zi, si vendi që kryeson garën për t’iu bashkuar Unionit, progresin e Shqipërisë në përmbushjen e standardeve kyçe për sundimin e ligjit, përparimin teknik të Ukrainës dhe Moldavisë, si dhe votimin në Islandë për rifillimin e procesit të anëtarësimit.

“Komisioni do të paraqesë idetë e tij se si Bashkimi Europian duhet të përgatitet ndërsa vendet kandidate i afrohen vijës së finishit të negociatave të anëtarësimit”, tha Kos.

Ajo identifikoi katër çështje kryesore që sipas saj duhet të trajtohen për të krijuar konsensus në nivelin më të lartë për pranimin e shteteve të reja anëtare.

Reformat e brendshme
Sipas komisioneres, një BE më i madh do të ketë nevojë për reforma të rëndësishme për të ruajtur aftësinë për të vepruar dhe për t’u përshtatur me shpejtësi në kohë krizash.

Kos theksoi se ndryshimet në proceset vendimmarrëse dhe organizimin institucional mund të realizohen pa ndryshuar traktatet e BE-së, pasi një ndryshim i tyre do të kërkonte negociata të gjata dhe procese të paparashikueshme ratifikimi.

“Duhet ta përdorim këtë për ta bërë vendimmarrjen më të thjeshtë dhe më fleksibël. Kjo mund të nënkuptojë gjithashtu reduktimin e numrit të fushave ku një shtet i vetëm anëtar mund të bllokojë të gjithë të tjerët. Mund të nënkuptojë gjithashtu institucione më të vogla”, tha ajo.

Ajo përmendi edhe mundësinë e një bashkëpunimi të zgjeruar, mekanizëm që u lejon një grupi më të vogël vendesh të BE-së të ecë përpara me një nismë kur shtetet e tjera nuk janë ende të gatshme ta bëjnë këtë.

Garanci më të forta për demokracinë
Një tjetër element i propozuar është forcimi i mekanizmave për të parandaluar që shtetet e reja anëtare të bëjnë hapa pas në standardet demokratike dhe sundimin e ligjit.

“Duhet të shkojmë një hap më tej. Duhet të sigurohemi që të mos lejojmë të hyjnë kuaj Troje. As sot, as pas 10 apo 20 vjetësh”, deklaroi Kos.

Sipas saj, përvoja e viteve të fundit tregon se mund të nevojiten masa më të forta për të parandaluar dhe, nëse është e nevojshme, korrigjuar shkeljet e parimeve dhe vlerave themelore të BE-së.

Megjithatë, propozimi ka hapur debat për shkak të rrezikut që mund të krijohen kategori të ndryshme të shteteve anëtare, në kundërshtim me parimin e trajtimit të barabartë.

Metodologjia e zgjerimit
Kos theksoi gjithashtu nevojën për një metodologji të re të zgjerimit, veçanërisht përmes “integrimit gradual”, që do t’u mundësonte vendeve kandidate të merrnin përfitime konkrete në një fazë më të hershme.

“Zgjerimi i BE-së duhet të evoluojë për t’iu përgjigjur realiteteve të sotme”, tha ajo.

Sipas komisioneres, procesi i anëtarësimit mund të zgjasë me vite, ndërsa kjo pasiguri mund të shfrytëzohet nga kundërshtarët e BE-së.

“Duhet të largohemi nga logjika ‘gjithçka ose asgjë’ në zgjerim. Na duhet një qasje më e strukturuar për të kapërcyer kohën që nuk e kemi më. Duhet të kërkojmë mënyra më ambicioze për integrimin gradual”, u shpreh Kos.

Ajo përmendi si shembuj të përfitimeve të hershme anëtarësimin në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) dhe lidhjen me rrjetin energjetik të BE-së.

“Këto janë hapa pozitivë. Por nuk mjaftojnë”, tha ajo.

Masat tranzitore
Në fund, Komisionerja për Zgjerimin theksoi nevojën që BE-ja të marrë parasysh ndikimin që anëtarët e rinj do të kenë mbi shtetet aktuale dhe të mbrojë interesat e Unionit nga rreziqet e mundshme.

“Ne kemi përvojë me masa të gjera tranzitore për të siguruar që integrimi i anëtarëve të rinj të zhvillohet pa probleme. Dhe duhet të sigurohemi që buxheti i BE-së të vazhdojë të financojë prioritetet tona”, tha Kos.

Mënyra se si shtetet e reja duhet të përfshihen në buxhetin e BE-së mbetet një pikë mosmarrëveshjeje mes qeverive europiane, duke komplikuar negociatat për Kornizën e ardhshme Financiare Shumëvjeçare.

Poll