POLITIKË /

Berisha akuzon qeverinë për indiferencë ndaj zjarreve dhe thërret demokratët në protestë: Vjeshta do të jetë vjeshta e lirisë

Në një bashkëbisedim me gazetarët, Berisha tha se ndërsa dhjetëra punonjës zjarrfikës po përballen me situatën në terren, sipas tij, qeveria nuk ka marrë masa të mjaftueshme për mbështetjen e tyre.

Shkruar nga Versus
Berisha akuzon qeverinë për indiferencë ndaj zjarreve dhe
Sali Berisha

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë për indiferencë ndaj situatës së zjarreve që kanë përfshirë disa zona të vendit, duke kritikuar edhe trajtimin e zjarrfikësve të angazhuar në përballimin e flakëve.

Në një komunikimi online me qytetarët, Berisha tha se ndërsa dhjetëra punonjës zjarrfikës po përballen me situatën në terren, sipas tij, qeveria nuk ka marrë masa të mjaftueshme për mbështetjen e tyre.

Ai u ndal edhe te protestat opozitare, duke deklaruar se ato do të vijojnë dhe se qytetarët, sipas tij, do të marrin në dorë fatin e tyre gjatë vjeshtës.

“Java ishte javë e zjarreve, e dhjetëra e dhjetëra zjarreve të shumta, të cilat kërcënuan jo në një, por në disa zona të banuara të vendit banesa dhe jetën e qytetarëve.

Përballë këtyre zjarreve, narkoqeveria vazhdonte vakancat. Edi Rama dhe ministrat e tij rreziteshin në diell, duke luajtur kumar dhe në indiferencë të plotë të kësaj që ndodh.

Prej mbi 2 javësh, me dhjetëra e qindra punonjës heroikë të zjarrfikësve dhe të tjerë janë përballur me guxim me zjarret në katër anët e vendit. Asnjë qindarkë shtesë gjer sot nuk kanë marrë, përveç mashtrimeve të Edi Ramës. Pamjet e ushqimit të tyre janë mjerim.

Është një injorim, një mosmirënjohje e thellë, e turpshme për sakrificën dhe djersën që derdhin, rrezikun me të cilin përballen këta burra, por edhe qytetarët. Ndërkohë, protesta rinore qytetare, uragani i lirisë vazhdon i pamposhtur.

Ka dështuar me turp e gjithë përpjekja e Edi Ramës për ta përçarë, të gjitha format e përdorura për kërcënim, miklim, etj., ndaj tyre. Ajo protestë është sot zëri i Shqipërisë në Evropë dhe në botë. Pavarësisht nga indiferenca kriminale që qeveria dhe Edi Rama dëshmojnë ndaj saj.

Pavarësisht nga metodat e terrorizmit politik dhe psikologjik që përdoren ndaj protestuesve, asgjë nuk do ndalë uraganin e lirisë pa triumfuar. Vjeshta është vjeshta e shqiptarëve, është vjeshta e lirisë, është vjeshta në të cilën qytetarët marrin në dorë fatin e tyre.

Ndaj dhe ftoj çdo demokrate e demokrat të marrë pjesë në protestë, të mbështesë protestën me pjesëmarrjen e tij ose të saj, si një kontribut historik për vendin, si një kontribut historik për të ardhmen e Shqipërisë”, tha Berisha./Versus.al

Poll