POLITIKË /

Berisha mbledh Këshillin Kombëtar të PD-së: “Ripërtëritja” për të ardhur në pushtet/ Fokus te TikTok-u dhe Inteligjenca Artificiale

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij e cilësoi ripërtëritjen si një proces jetik për forcën që drejton, duke deklaruar se ajo do t’i hapë rrugë rikthimit të demokratëve në pushtet.

Shkruar nga Versus
Berisha mbledh Këshillin Kombëtar të PD-së:
Sali Berisha

Ka nisur mbledhja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, ku në fokus është procesi i “ripërtëritjes” së PD-së dhe prezantimi i platformës së re “Agora PD”.

Kryetarja e Këshillit, Julia Emiri, bëri me dije se në sallë janë të pranishëm 287 anëtarë.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij e cilësoi ripërtëritjen si një proces jetik për forcën që drejton, duke deklaruar se ajo do t’i hapë rrugë rikthimit të demokratëve në pushtet.

“Detyra jonë e dytë themelore për të cilën kemi thirrur këtë mbledhje të Këshillit është diskutimi mbi ripërtëritjen e PD-së. Nuk ndalet. Nëse fjala Rithemelim ia doli të shpëtojë PD-në nga tentativat e Ramës për ta vënë atë nën kontroll, tani motoja ripërtëritje do të bëjë të mundur ardhjen e PD-së në pushtet. Kaq jetike është ripërtëritja, sepse sot Shqipëria është në sallë urgjence”, u shpreh Berisha.

Duke iu referuar një studimi mbi funksionimin e strukturave të partisë, Berisha tha se PD-ja ka një problem me funksionalitetin e organizimit të saj.

“Struktura ekziston, por më shumë në letër se në praktikë. PD-së nuk i mungon organizimi formal si rrjet, por i mungojnë mekanizmat që ta bëjnë organizimin funksional”, deklaroi ai.

Sipas Berishës, komunikimi brenda partisë është i fragmentuar dhe kanalet joformale kanë zëvendësuar gradualisht strukturat formale, duke krijuar, sipas tij, një hendek mes vendimmarrjes dhe zbatimit të saj në terren.

Një pjesë të rëndësishme të fjalës së tij, kryedemokrati ia kushtoi teknologjisë, rrjeteve sociale dhe Inteligjencës Artificiale, duke i cilësuar ato si mjete të domosdoshme për modernizimin e PD-së.

“Gatishmëria për të përqafuar mjetet dixhitale, proceset e bazuara në të dhëna dhe teknologji të reja, si inteligjenca artificiale, tregojnë një kuptueshmëri se modernizimi organizativ nuk është vetëm një zgjedhje, por një kusht themelor për efikasitetin politik, reagimin e shpejtë dhe konkurrueshmërinë afatgjatë”, tha Berisha.

Më tej, ai u ndal konkretisht te TikTok-u, duke paralajmëruar strukturat e partisë se nuk mund të injorojnë platformat përmes të cilave informohet një pjesë e madhe e elektoratit.

“Zotëri, nuk mund të thuash ç’më duhet mua TikTok-u. Nuk mund të dalësh jashtë TikTok-ut, sepse kemi 40% të elektoratit që merr lajmet nga TikTok, është një gjeneratë”, u shpreh kreu i PD-së.

Sipas Berishës, një prej problemeve që duhet zgjidhur është edhe mungesa e një burimi të qartë dhe autoritar nga ku anëtarët të marrin informacionin zyrtar për qëndrimet e partisë.

Në mbledhje pritet të prezantohet edhe “Agora PD”, platforma e re përmes së cilës demokratët synojnë të përmirësojnë komunikimin dhe koordinimin nga qendra drejt strukturave lokale.

Strategjia parashikon shpërndarjen e mesazheve të qarta, materialeve zyrtare, rekomandimeve për komunikimin dhe koordinimin e qëndrimeve të partisë, ndërsa parashikohet gjithashtu matja e kontributit të anëtarëve dhe funksionarëve të PD-së.

Mbledhja e Këshillit Kombëtar vijon, ndërsa priten diskutime të tjera mbi procesin e “ripërtëritjes” dhe platformën e re të komunikimit të Partisë Demokratike./Versus.al

Poll