Kreu i PD, Sali Berisha, ka konfirmuar se do të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku do të marrë pjesë në konferencën e Partisë Republikane në Teksas.
Gjatë një komunikimi me gazetarët, Berisha bëri të ditur se ftesa për pjesëmarrjen e tij ka ardhur në kuadër të Unionit Demokrat Ndërkombëtar, ku Partia Republikane amerikane ka një peshë të rëndësishme.
Sipas Berishës, në konferencë do të marrë pjesë një delegacion i përbërë nga drejtues të rreth 30 partive anëtare të Unionit Demokrat Ndërkombëtar.
“Partia Republikane Amerikane zhvillon në Teksas konferencën për zgjedhjet e mid-term, që i quajnë ata zgjedhjet në mes të mandatit”, u shpreh Berisha.
Kreu i PD-së tha gjithashtu se ka marrë një ftesë të dytë nga një institut amerikan që ka lidhje me konferencën.
Berisha sqaroi se aktualisht është në pritje të dokumentacionit përkatës, ndërsa takimet zyrtare gjatë vizitës ende nuk janë përcaktuar.
“Unë pres dokumentet dhe do marr pjesë. Përsa i përket takimeve, nuk kam fiksuar, por shpresoj që të fiksoj gjatë ditëve të ardhshme”, deklaroi ai.
Vizita e Berishës në SHBA pritet të zhvillohet në kuadër të aktiviteteve politike të lidhura me zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara./Versus.al

