
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka pranuar se ende nuk ka marrë përgjigje nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë lidhur me lejen për të udhëtuar drejt SHBA-së.
Gjatë konferencës me gazetarët në selinë e PD-së, Berisha tha se dokumentet janë dorëzuar në ambasadë, por deri tani nuk ka marrë asnjë njoftim.
Berisha bëri të ditur se synon të udhëtojë drejt Teksasit, ku pritet të zhvillohet konferenca e Partisë Republikane amerikane në kuadër të zgjedhjeve të mesmandatit.
Sipas tij, ai është pjesë e një delegacioni të Unionit Demokrat Ndërkombëtar (IDU), i cili është ftuar nga Partia Republikane për të marrë pjesë në aktivitet. Berisha tha gjithashtu se ka marrë një ftesë edhe nga një institut republikan.
“Dokumentet janë në ambasadën amerikane dhe unë nuk kam prenotuar asnjë takim. Unë shkoj në Teksas në konferencën e Partisë Republikane amerikane për zgjedhjet midterm. Jam në një delegacion të Unionit Demokrat Ndërkombëtar, i cili është i ftuar nga Partia Republikane”, deklaroi Berisha.
I pyetur nëse ka marrë ndonjë reagim të fundit nga pala amerikane, kreu i PD-së u shpreh se nuk ka pasur ende asnjë përgjigje.
“Jo, nuk kam pasur njoftim, as orën, as minutat”, tha Berisha.
Kreu i opozitës pritet të udhëtojë drejt SHBA-së për pjesëmarrjen në konferencë vetëm pasi të marrë lejen përkatëse nga Ambasada Amerikane.

