POLITIKË /

Deklaratat e Vuçiç për lumin Ibër, Ferit Hoxha: Serbia të mos përdorë ujin si instrument presioni dhe ndëshkimi

Ministri Hoxha e cilëson shqetësuese përfshirjen e ekspertëve dhe institucioneve serbe në shqyrtimin e një mundësie të tillë

Shkruar nga Versus

Deklaratat e Vuçiç për lumin Ibër, Ferit Hoxha: Serbia

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiç për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër.

Ministri Hoxha e cilëson shqetësuese përfshirjen e ekspertëve dhe institucioneve serbe në shqyrtimin e një mundësie të tillë, duke theksuar se Ibri është pjesë e një sistemi ujor ndërkufitar.

Sipas tij, ndryshimi i rrjedhës së lumit nuk mund të trajtohet si çështje e brendshme e Serbisë dhe as të vendoset në mënyrë të njëanshme, pasi mund të ketë pasoja për mjedisin, sigurinë ujore dhe furnizimin me ujë të Kosovës.

“Uji nuk mund të përdoret si instrument presioni politik dhe as si mjet për të ndëshkuar një vend apo një popullsi tjetër”, deklaroi Hoxha.

Ministri nënvizoi se e drejta ndërkombëtare parashikon përdorimin e drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave ndërkufitare, parandalimin e dëmeve dhe detyrimin për bashkëpunim, shkëmbim informacioni dhe konsultim mes vendeve.

Hoxha rikujtoi gjithashtu se Serbia është palë e Konventës së UNECE-së për Mbrojtjen dhe Përdorimin e Ujërave Ndërkufitare dhe Liqeneve Ndërkombëtare që prej vitit 2010 dhe, për këtë arsye, duhet të respektojë detyrimet ndërkombëtare dhe parimet e fqinjësisë së mirë./Versus.al

 

 

Poll